Sherri me thika mes adoleshentëve pranë shkollës 9-vjeçare në Tiranë, ndërron jetë 14-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të hëne në Tiranë, ku një përleshje mes dy adoleshentëve të shkollës “Fan Noli” përfundoi tragjikisht për njërin prej tyre.

14-vjeçari me iniciale M.C. u godit me thikë në zemër dhe për shkak të plagëve të rënda, ndërroi jetë në spital.

Konflikti mes dy adoleshentëve filloi brenda shkollës dhe më pas u zhvendos jashtë saj, ku u përshkallëzua duke përdorur armë të ftohta.

Gjatë përplasjes mbeti i plagosur edhe autori i ngjarjes, një tjetër 14-vjeçar me iniciale L.M., i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në spital. Ai ka disa plagë me thikë në gjoks, por ndodhet në gjendje të qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetën.

“Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.

Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit”, njoftoi policia.

Të Fundit