Sejko: Çmimet pritet të rriten në 6 muajt e ardhshëm, ja çfarë ka ndikuar

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.5%, pavarësisht rritjes së presioneve inflacioniste gjatë muajve të fundit.

Vendimi u bë i ditur nga Guvernatori Gent Sejko, gjatë konferencës për shtyp për vendimmarrjen e politikës monetare.

Sipas Sejkos, inflacioni pritet të rritet lehtë gjatë dy tremujorëve të ardhshëm, i ndikuar nga rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, por kjo rritje vlerësohet e moderuar dhe e përkohshme.

Guvernatori theksoi se ekonomia shqiptare vijon të rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa tregu i punës, kredia për sektorin privat dhe tregjet financiare paraqesin një ecuri pozitive

Deklarata e Plotë:

Sot, në datën 7 tetor 2026, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i përftuar gjatë dy muajve të fundit sugjeron se presionet mbi inflacionin kanë ardhur në rritje, në përgjigje të rritjes së çmimeve në tregjet botërore dhe të inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Nga ana tjetër, ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend solid rritjeje, ndërsa tregjet financiare janë të qeta dhe kredia për ekonominë ka shënuar rritje të shpejtë.

Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka dhënë një kontribut pozitiv në këtë ecuri, duke mundësuar si krijimin e një ambienti financiar akomodues për rritjen ekonomike, ashtu edhe kontrollin e pritjeve për inflacionin në të ardhmen.

Përditësimi i parashikimeve tregon se inflacioni ka gjasa të rritet më tej gjatë dy tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e moderuar dhe e përkohshme. Më pas, duke filluar nga mesi i vitit të ardhshëm, inflacioni pritet të vijë në rënie graduale drejt objektivit. Nga ana tjetër, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit, duke pasqyruar bazat solide të rritjes dhe ambientin stimulues financiar.

Bazuar në këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar qëndrimin e politikës monetare në mbledhjen e sotme. Megjithatë, këto parashikime, si dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi inflacionin, forcojnë premisat për një lëvizje në kahun normalizues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen.

Më lejoni t’ju ofroj, në vijim, një pasqyrë më të detajuar të opinionit tonë mbi zhvillimet ekonomike e financiare, si dhe të detajoj vendimin e politikës monetare dhe arsyet që e motivuan atë.

Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rritje gjatë muajve korrik – gusht, duke shënuar një nivel mesatar prej 3.3%. Ky trend ishte i njëjtë me ecurinë e inflacionit në thuajse të gjithë partnerët tanë tregtarë. Në një kontekst më të gjerë, ai pasqyron efektet direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës, produkteve energjetike, ushqimeve dhe të lëndëve të tjera bazë në tregjet botërore. Këto çmime shënuan rritje të shpejtë në këtë periudhë, si pasojë e intensifikimit të tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Nga ana tjetër, ecuria dhe niveli i inflacionit në vend pasqyrojnë gjithashtu kërkesën e qëndrueshme për mallra e shërbime në vend, si dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës.

Rritja e inflacionit në muajt korrik – gusht ishte disi më e shpejtë se pritjet tona.

Nga këndvështrimi i strukturës së shportës, rritja e inflacionit u ndikua nga rritja e çmimeve të karburantit dhe të ushqimeve të papërpunuara. Nga ana tjetër, inflacioni i artikujve të shërbimeve dhe ai i qirave shënoi rënie.

Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyroi rritjen e presioneve të huaja. Në veçanti, rritja e shpejtë e çmimeve të produkteve bazë në tregje dhe rritja e inflacionit në partnerët tanë tregtarë nuk arritën të kompensoheshin plotësisht nga efekti frenues i forcimit të kursit të këmbimit, duke rezultuar në rritje të inflacionit të importuar. Nga ana tjetër, inflacioni bazë dhe ai brendshëm erdhën në rënie, ecuri kjo e diktuar kryesisht nga rënia e inflacionit të qirave, në pasqyrim të një balancimi më të mirë të kërkesës dhe ofertës në segmentin e qirave afatgjata. Megjithatë, presionet e brendshme dhe afatmesme mbi inflacionin vijojnë të jenë të ndikuara nga mungesat e tregut të punës dhe nga rritja e shpejtë e pagave.

Ekonomia shqiptare vijoi të rritet me ritme solide gjatë gjysmës së parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.6% në tremujorin e dytë, një ritëm ky i ngjashëm, ndonëse disi më i ulët se ai i tremujorit paraardhës. Rritja e aktivitetit ekonomik u mbështet kryesisht nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve, ndërkohë që eksportet neto shënuan një kontribut margjinal pozitiv dhe politika fiskale vijoi të ruajë natyrën e saj konsoliduese. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike vijoi të bazohet në zgjerimin e aktivitetit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërsa sektori industrial dhe ai bujqësor vijuan të tkurren. Të dhënat e disponuara sugjerojnë një ecuri të ngjashme ekonomike edhe në tremujorin e tretë.

Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime u pasqyrua në përmirësimin e treguesve të tregut të punës. Kështu, në tremujorin e dytë, norma e papunësisë zbriti pranë minimumit historik prej 8.3%, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2.3%, ndërsa paga mesatare regjistroi një rritje prej 11.5%.

Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike vijon të ushqehet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, pritjet pozitive për të ardhmen, të ardhurat nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme monetare e financiare.

Kjo tablo pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin pozitiv të politikës sonë të kujdesshme monetare. Reagimi në kohë dhe konsistent ndaj zhvillimeve në inflacion ka bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit, si dhe përmirësimin e kushteve të financimit.

Tregjet financiare vijojnë të shfaqin likuiditet të bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit. Kjo ecuri është pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 15.4% gjatë muajve korrik – gusht, duke vijuar të mbështesë financimin e investimeve të bizneseve, blerjes së banesave dhe konsumit familjar. Gjithashtu, kreditimi i sektorit privat shfaq një orientim gjithnjë e më të lartë drejt Lekut dhe vijon të ketë tregues të mirë cilësie, sikundër duket nga rënia e raportit të kredisë me probleme në nivelin 3.7%, niveli më i ulët i shënuar pas krizës financiare botërore.

Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të ndjekë një trajektore pozitive zhvillimi në të ardhmen.

Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vazhdojë të zgjerohet gjatë viteve në vijim. Rritja ekonomike do të vijojë të ushqehet nga bilancet likuide të sektorit privat, ambienti i favorshëm financiar dhe pritjet për të ardhmen, si dhe të pasqyrohet në rritje të punësimit e të pagave në vend. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë disi më i lartë se parashikimet paraardhëse, por ai pritet të krijojë gjithsesi premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate.

Paralelisht me të, inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të shënojë një rritje të lehtë gjatë dy tremujorëve të ardhshëm, si pasojë e efekteve direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve në tregjet e huaja. Më tej, ai pritet të kthehet gradualisht drejt objektivit përgjatë horizontit afatmesëm. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një goditje të përmbajtur dhe afatshkurtër të ofertës në tregjet e huaja, një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate në vend, për pritje të ankoruara të bizneseve e tregjeve financiare, për ruajtjen e kahut konsolidues të politikës monetare, si dhe vlerësimin tonë mbi miksin e përshtatshëm të kushteve financiare në të ardhmen.

Megjithatë, tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm. Po ashtu, ecuria e tregut të punës dhe e pagave në vend, sugjeron se ky treg vijon të karakterizohet nga mungesa të ofertës, të cilat përbëjnë rreziqe potenciale të kahut të sipërm mbi inflacion.

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për momentin. Ky qëndrim mundëson përmbushjen e parashikimeve të skenarit bazë, duke i ofruar ekonomisë shqiptare kushte të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv. Gjithashtu, ai adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, si dhe efektin frenues në inflacion të kahut konsolidues të politikës fiskale dhe të forcimit të kursit të këmbimit.

Gjithsesi, Këshilli Mbikëqyrës thekson se rritja e presioneve mbi inflacionin dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi parashikimet tona, forcojnë premisat e një reagimi në kahun shtrëngues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen, duke i kushtëzuar lëvizjet e ardhshme të politikës monetare nga informacioni i ri mbi inflacionin, nga balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste, si dhe duke konsideruar kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës do të monitorojë me kujdes e në vazhdimësi situatën. Bazuar në të dhënat e reja, ai mbetet i gatshëm të reagojë në kohën, kahun dhe me forcën e duhur, ndaj çdo rreziku material mbi stabilitetin e çmimeve.

Të Fundit