Në emisionin “Stop” ka mbërritur një denoncim për juristen e Portit të Sarandës, Noreta Kalcunin, e cila ushtron njëkohësisht edhe aktivitetin e saj si avokate, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin. Madje për këtë, shfrytëzon zyrat e institucionit ku punon.
Noreta Kalcuni është avokate, e regjistruar edhe në QKB me këtë profesion. Më parë ajo ka qenë e punësuar si sekretare në Gjykatën e Shkallës së Parë Sarandë, për të vijuar më pas si juriste e jashtme në Portin e këtij qyteti, ku ka ndjekur 28 çështje. Por Porti i Sarandës, i përfaqësuar nga juristja Kalcuni, i ka humbur të 28 gjyqet. Prej një viti ajo është emëruar juriste definitive e këtij institucioni, por vijon të ushtrojë profesionin si avokate, duke shkelur në këtë mënyrë nenin 4 të ligjit numër 9109, ku thuhet:
“Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë njëkohësisht gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike”.
Shpërdorimi i detyrës dënohet nga Kodi i Procedurës Penale, përkatësisht sipas nenit 248, personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër penale, dënohet me burgim deri në 7 vjet dhe me gjobë nga 300 mijë deri në 1 milion lekë.
Gazetari i emisionit “Stop” shprehet se gjatë investigimit ka rezultuar se juristja e Portit të Sarandës, ka vijuar aktivitetin privat pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, duke u caktuar si avokate e duke u paguar për një punë të cilën e ka të ndaluar. Ai iu drejtua zyrës së saj private, por askush nuk u përgjigj, ndaj dhe e kërkoi avokaten në port nëpërmjet një “klienti” me kamera të fshehtë.
Klienti – Përshëndetje! Si kalove? Avokate Noreta Kalcuni, ka ardhur?
Roja i Portit – Si, si?
Klienti – Noreta Kalcuni, juristja.
Roja i Portit – Avokatja?
Klienti – Ë…
Roja i Portit – Nuk e di. Pse?
Klienti – Jo, për t’i dhënë një porosi.
Roja i Portit – E ke avokate ti?
Klienti – Po, po! Po i bie në telefon, por s’po e gjej dot. Më thanë: Shko tek porti!
Roja i Portit – Nuk është këtu.
Klienti – S’ka ardhur sot ëë…?
Roja i Portit – Ik andej nga gjykata, mos e takosh!
Gazetari i emisionit “Stop” e telefonoi funksionaren nën petkun e qytetarit, duke pretenduar se ka një çështje prone. Noreta Kalcuni i la takim në zyrën e saj në Portin e Sarandës, por kur u përball me gazetarin tha se nuk e ushtron profesionin si avokate gjatë orarit zyrtar të institucionit publik. Ndërsa pas insistimit të gazetarit, u shpreh se mund të ketë ndodhur ndonjëherë.
Gazetari – Si je? Si kalove?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Mirë! Si je ti?
Gazetari – Genci Angjellari nga Tv Klan, Emisioni “Stop”.
Juristja e Portit N. Kalcuni – Ëëëë!
Gazetari – Kemi një denoncim të mbërritur për ju, në lidhje me profesionin që bëni si avokate dhe që jeni e punësuar këtu në port. Është e lejueshme?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Unë nuk jam avokate për arsye se 8 me 4 jam në punë. Pas orarit 4 mund të punoj.
Gazetari – Ne kemi investiguar dhe në Gjykatë, kemi marrë ato avokatët, që janë kryesisht, e ke emrin në listë…
Juristja e Portit N. Kalcuni – Sepse licenca nuk është mbyllur.
Gazetari – Absolutisht e kuptoj, por gjyqet që keni ndjekur janë brenda orarit zyrtar. Më kupton?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Ku ka qenë kjo?
Gazetari – Ju e mohoni këtë kategorikisht? Si e ushtroni profesionin? Si i mbroni klientët? Sepse gjykata deri në 4 është. Më kupton?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Po, pfff… ajooo… eeeeee, klientit nuk mund të… Lista që del kryesisht është pas orës…
Gazetari – Jo, meqë je këtu 8 me 4.
Juristja e Portit N. Kalcuni – 8 me 4.
Gazetari – Mua, si klient p.sh…
Juristja e Portit N. Kalcuni – Kryesisht ka nxjerrë listën kryetari i Dhomës së Avokatisë. Në momentin që ka komisariati një… ose penale një prokuror, atëhere të thërret. Kam vajtur edhe pasdite.
Gazetari – Po s’ka gjyqe pasdite! Prandaj po të them.
Juristja e Portit N. Kalcuni – Pasdite në dhomat e paraburgimit .
Gazetari – E kuptoj, por si e mbron klientin tënd?
Juristja e Portit N. Kalcuni – Unë, ssss…
Gazetari – S’ke pasur raste të tilla? Se ne i kemi investiguar, domethënë edhe punët që ke bërë i kemi .
Juristja e Portit N. Kalcuni – Mund të ketë ndonjë rast 1, 2 , po jo se kam… Unë jam këtu, kështu që…
Gazetari – Mirë! Të falenderoj! Gjithë të mirat!
Moderatorët e emisionit “Stop” u shprehën se Noreta Kalcuni, ashtu si nënkryetari i Bashkisë Kavajë, duhet të zgjedhë mes punës private dhe asaj shtetërore.