Vera shqiptare është një tjetër produkt që po gjen çdo ditë e më shumë terren në tregjet e huaja, kjo si rrjedhojë e investimeve që kanë bërë fabrikat dhe kujdesit që po i kushtojnë cilësisë së prodhimit.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, tregojnë se gjatë periudhës Janar-Korrik 2023, eksporti i verës, mushtit të rrushit dhe vermuthit është rritur me 4.8 herë në sasi, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu, gjatë 7 muajve janë eksportuar 41.5 ton sasi nga vetëm 8.6 ton që u eksportuan një vit më parë. E përkthyer në vlerë monetare, në 7 muaj të ardhurat nga shitja e këtyre produkteve rezultojnë 4.5 herë më të larta, duke u regjistruar në afro 58 milionë lekë.
Megjithatë, potencialet për rritjen e mëtejshme të eksporteve por edhe për të orientuar konsumin e brendshëm drejt produkteve vendase janë edhe më të larta.
Së fundmi, Shqipëria është bërë shteti i 50-të në botë i anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare të Vreshtarisë dhe Verës (OIV), gjë që do ti japë më shumë mundësi prodhuesve për të depërtuar më shumë në tregjet e huaja, për të krijuar ura bashkëpunimi si dhe për tu njohur me kultivarë dhe teknologji të reja të prodhimit.
Po ashtu, ligji i ri i vreshtarisë i cili hyn në fuqi në vitin 2024, do të jetë një tjetër instrument në të mirë të sektorit, i cili do të vendosë rregulla të reja, kontroll të shtuar si dhe pritet të ndikojë në rritjen formalizimit, si problemi kryesor që vuan aktualisht sektori.
Eksporti i verës në 7 muaj
Sasi Vlerë
2022 8.6 ton 13 milionë lekë
2023 41.5 ton 58 milionë lekë