Rrugëtimi në tri dekada i mjekut, Vasil Llajo, nga mikroskopi tek perandoria “Intermedica”

Mjekun Vasil Llajo e kam njohur rreth viteve tetëdhjetë, në atë fshatin e largët Markat. Sapo kishte përfunduar studimet mjekësore në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Mjekësisë.

Pas ushtrimit të profesionit për dy-tre muaj në spitalin e Sarandës, ku hodhi hapat e para si mjek, u emërua në një zonë rreth tre orë larg qytetit të Sarandës, ku u lind, kreu shkollën e nëntvjeçare e të mesme. Edhe pse vlerësuar shkëlqyeshëm në fakultet, me dy gjuhë të huaja, i aftë për të punuar në klinikat më të specializuara të vendit nuk e refuzoi pozicionin e parë të punës. U sistemua në një dhomë të thjesht në katin e dytë të një ndërtese gjysëm të rrënuar, ku veç librave, çantës së ilaçeve, stetoskopin, mori me vete edhe enët e kuzhinës. I duhej të përballonte jetesën, ditën duke punuar dhe në mbrëmje duke gatuar në një furnelë me vajguri, pasi fshatit i mungonte mensa.

Zona e thellë shtrihet në rrëpirat e faqet e maleve dhe shtëpitë e fshatrave janë deri në kufi me shtetin fqinj, Greqinë. Vetëm një telefon, një makinë zis e përshtatur me stola druri vinte dhe ikte nga qyteti në këtë zonë në shërbim të atyre që udhëtonin për në qytet e kthim. Telefoni i vetëm ishte i instaluar në zyrat e sektorit të kooperstivës. Në çdo orë të ditës njoftohej doktor Vasili, Vasua, siç e njohin të gjithë në këto anë se duhej të nisej me urgjencë drejt Janarit që ishte nja dy orë larg. Rruga bëhej me këmbë.

Duke ecuar shtegut për të shkuar në shtëpinë e të sëmurit, barinjtë e ftonin të pinte një gotë dhallë të ftohtë dhe ai kurrë nuk ua prishte. Ishte njeriu që shumë shpejt u bë mik me të gjithë. Asnjëherë nuk tha, u lodha,boll më apo sot nuk mundem se jam në mbledhje. Përherë i gatshëm, nisej në fshatrat skajore, buzë kufirit nga majat e të cilave dukej një copëz e detit Jon, me të cilin Vasua ishte i lidhur që në fëmijërinë e hershme, po që e përjetonte e kundronte nga larg.Sa kilometra ka përshkuar në këmbë, mjeku i skajit më jugor të Shqipërisë?Sa ditë e netë, është endur atyre shtigjeve, sa herë është lagur e rrahur nga suferinat, rrebeshet e breshëri, sa ditë është mbuluar me dëborën, që e zinte në qafat e maleve dhe ai vetëm ecte, ashtu si Deda në rrugët e bardha, drejt pacientëve që kishin nevojë për kujdesin e tij.

Mjek i përgjithshëm. Po distanca nga spitali rajonal, ia kërkonte të bënte edhe kirurgun e gjinekologun, ortopedin e infeksionistin, ndihmësmjekun e infermierin. Ato pak orë që qëndronte në dhomën e ftohtë, lexonte për të kuptuar simptomat e bariut që sapo kishte vizituar. Dhe të nesërmen nisej përsëri për t`u gjendur në repartet e kufirit apo në stanet më të largëta atje, ku rrallë kishin shkuar edhe fshatarët e atyre anëve.

Gjithnjë në kërkim. Tërë kohës i gatshëm. Në çdo kohë e moment njerëzor. Fjalëpakë e punë shumë. Vasua nuk e harronte kurrë se vinte nga një familje punëtorësh.Babai ishte marangozi që zdruktonte dërrasat e montonte dyert e shtëpive të qytetarëve sarandjotë. U rrit me vështirësi pasi ishin familje e madhe dhe kjo e bëri të kujdesshëm e të vëmendshëm, të dhimbsur e të papërtuar në jetë.

Mbi të gjitha familja i edukoi dashurinë për njerëzit pa dallim dhe përkushtimin për punën. Kurrë, banorët e skajit më jugor të Shqipërisë nuk e panë Vason të vrenjtur, pa atë buzagazin e përhershëm dhe gatishmërinë për të qenë në krye të punës në shërbim të jetës, atyre njerëzve të punës që shikonin tek ai, shpëtimtarin e jetës. Edhe sot, pas katër dekadash Vasua është njeriu i respektuar nga Janari në Konispol deri poshtë në Vrinë. Nuk ka fshat të asaj krahine që të mos e telefonojë dhe t`i kërkojë ndihmë, t`i urojë festat dhe ditën e emrit apo për gëzimet familjare.

Ia njohin fëmijët, vajzën juriste e djalin mjek. Janë të miqësuara me bashkëshorten e Vaslilit, Anilën të cilën e vlerësojnë si bazë të suksesit të doktorit. U dinë edhe shkollimin dhe profesionet fëmijëve. Në se ecën nëpër rrugët e qytetit të Sarandës me Vason në krah, nuk mund të arrish ato pak metra në kohë pa u ndalur, pasi të gjithë duan ta takojnë. Disa për ta përshëndetur. Të tjerët për ta pyetur për shëndetin e tyre. Për analizat. Dhe jo pak për një analizë gratis. Të tjerë për çekap falas. Vaso i njeh të gjithë me emër dhe mbiemër, me profesion dhe moshën, peshkatarë apo pastrues, lulishtarë, a intelektualë. Nuk i harron kurrë ata me të cilët është rritur, ka dalë me varkë në det, ka peshkuar, ka luajtur me topin e llastikut apo ka mësuar biçikletën. Kudo që ndodhet, telefoni i doktorit është i hapur. Nuk heziton të lërë pushimet në Kretë apo Venecia në Sarandë a Qeparo pa sqaruar deri në detaje cilindo që e pyet për ta orientuar se ku duhet të diagnostikohet.

Nuk ka mjek me emër në Shqipëri apo në shtetet përreth që të mos ketë kontakte dhe jo pak prej tyre i ka bërë pjesë të personelit të “Intermedica”. Kur biseduam dhe i shpreha dëshirën për të treguar diçka nga jeta e tij, si mjek, familjar, menaxher apo qytetar i Sarandës qeshi dhe më kërkoi që të shkruaj sa më thjesht, sepse sipas tij nuk ka bërë asgjë që të ngjitet në piedestale pasi kolegë të tij kanë bërë epokë dhe ai i ka ata idhuj prej të cilëve frymëzohet. Dhe tregon me nostalgji për profesorët e tij të shquar,Petrit Gaçe,Petro Cani,Besim Elezi, Mentor Petrela. Flet për kolegë të shumtë që i bashkoi rrugëtimi ndër vite dhe ia vlerësojnë gjithçka ka bërë në emër të jetës dhe shëndetit. Kirurgu i njohur, Dhimtër Xhaferi, “Meshtri i Madh”, kirurgu i jugut, siç e njohin të gjithë, thotë se, Vasil Llajo, është mbi të gjitha njeri,mjek i zoti, menaxher i talelentuar, por edhe shkencëtar që vetëm lexon, punon, krijon pa u lodhur dhe ecën me shpejtësi drejt progresit. Edhe pse kanë kaluar katër dekada, banorët e Markatit dhe tërë ajo zonë larg qytetit nuk i kanë shkëputur lidhjet me Vasil Llajon. E ftojnë në dasma.E dërgojnë edhe krushk. E vënë në krye të tavolinës. E urojnë për festat.

Kur një bletërritës, mik i vjetër në Marakat, hap bletët në fundmaj, mjaltin e parë ia nis doktor Vasilit, kështu për dyzetë vjet me radhë. Po marrëdhëniet nuk kufizohen me një apo dy banorë të asaj zone. Ato janë aq të shumtë sa edhe sot, kur doktori është bërë i njohur mbeten njerëzore, shpirtërore të afërta, të paharruara. Është lidhja me njerëzit që e duan dhe kujtojnë për atë që ka bërë me sakrifica e përkushtim.

Marrëdhënie që nuk shuhen kurrë, veç forcohen. Pas Markatit, Vasua punoi mjek në Finiq e Delvinë. Prej këtej nisi rrugëtimin e specializimeve në Fakultetin e Mjekësisë për reanimator. Pas specializimit, filloi të punojë pranë klinikës neurologjike, e cila ishte shkolla që e formoi dhe e rriti në profesion. Po edhe pse në një nga qendrat elitare të kohës, asnjëherë nuk u largua nga banorët që i priti dhe u shërbeu, duke u rritur midis tyre. Jo për kuriozitet, as për t’i shtuar vlerat, po Vasil Llajo nga klasa e parë deri në vitin e fundit të universitetit është vlerësuar vetëm me notën maksimale dhjetë. Në realitet dhjetën e vërtetë e fitoi nga ata që u shërbeu dhe u shërben dhe jetët që shpëtoi me përkushtimin profesional dhe këmbënguljen e jashtëzakonshme.

Në emigracion, në rrugëtimin drejt të panjohurës

Fundvitet nëntëdhjetë e gjetën mjekun, Vasil Llajo në shërbim të pacientëve në neurokirurgji në Tiranë. Asnjë moment nuk u shkëput nga shërbimi dhe përpjekjet për të shpëtuar jetët e rrezikuara nga goditjet fatale në kokë apo shtyllën kurrizore, traumat e rënda nga përplasjet e mjeteve, që kishin sjellë në Shqipëri qytetarët e etur për një makinë. Ishin vitet kur u shndërruan në motiv themelor që shumë specialistë të shquar u larguan në emigracion. Edhe Vasili me familjen,bashkëshorten, Anilën, e diplomuar në universitetin e Tiranës matematicen, vendosën të emigrojnë në Athinë. Shumë pak sende morën me vete.

Të vetmet që morën me shumicë ishin librat e profesionit. Në kohë rekord, Vasili bëri njehsimin e diplomës së mjekësisë dhe u emërua në një nga spitalet më të njohura të Greqisë në “Kat”. Siç të tregon sa herë vjen fjala për përvojat e fituara në këtë spital të rangut europian, këtu mësoi shumë nga mjekë të cilët kishin përfunduar studimet në universitetet më prestigjioze të Francës, Anglisë, SHBA, Gjermani apo Italisë.

Ajo që e sëmbonte, thellë në zemër, ishte teknologjia e kohës së fundit e cila ishte e instaluar në të gjitha pavionet dhe brenda pak minutash mësoje mbi gjendjen e pacientëve e cila në Shqipëri mungonte. Duke e ndjerë dhe parë këtë ndryshim të spitaleve nga atje në vendin tonë Vasil Llajo vendosi të rikthehet në Tiranë, atje nga nisi rrugëtimin për t’u bërë mjek dhe ku u specializua nën kujdesin e mjekëve të shquar. Ishte vendim i marrë në koshiencë të plotë, me shpirt dhe jo për motive përfitimi. Pa u menduar dy here, u kthye në Shqipëri. Në mendje kishte të piketuara shumë projekte. Kishte ndërtuar e skicuar ide, të cilat do t’i vinte në jetë për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë në nevojë jetike. Dhe këtë do ta arrinte duke fuqizuar teknologjinë, duke e bërë të mundshme që ajo që kishte në spitalin “Kat” dhe spitalet e vendeve me mjekësi të përparuar të hynte edhe në Shqipëri.

Në Tiranë me projekte në shërbim të jetës

Mjeku, Vasil Llajo pas kthimit në Tiranë adresoi nevojat që kishin shumë pacientë, që kishin mbetur në udhëkryqin e një sistemi shëndetësor publik në kolaps të plotë. Vizioni dhe përvoja profesionale ishin garancia për të ndërmarrë një nismë jo të lehtë.

Në dhjetor të vitit 1994, mjeku Vasil Llajo u bë nismëtari i një projekti ambicioz e të guximshëm. E dinte shumë mirë çfarë i mungonte shërbimit shëndetësor këtu.

Gjatë një vizite në Erlangen, Gjermani,në degën qendrore të Siemens AG, ku prodhohen pajisje mjekësore, ndër të cilat edhe skaneri, në sallën dedikuar klientëve nga gjithë bota, në një hartë të madhe në mur, vendet e pajisura me skaner ishin të ndriçuara, ndërsa Shqipëria ishte në errësirë.

Pikërisht, kjo pajisje duhej urgjent. Dhe kjo ide e ngacmonte shumë, nuk e linte të qetë derisa ta bënte realitet. Pas instalimit të skanerit të parë në Shqipëri nga doktor Vasili në hartën e Siemensit u ndez drita e kuqe për Shqipërinë dhe ajo nuk ishte më një pikë e errët. Instalimi i skanerit të parë ishte hap i rëndësishëm për mjekësinë shqiptare. Përdorimi i tij shënoi ndryshim parësor, i cili kaloi nga diagnostikimi nëpërmjet simptomave klinike, në imazheri. Në kuadër të zgjerimit të aktivitetit dhe plotësimit të kësaj qendre me diagnostikën laboratorike, u hodhën bazat për krijimin e një laboratori modern, sipas standardeve evropiane. Këtej e nisi rrugëtimin “Intermedica”, themeluar në qershor 1996, falë këmbënguljes, vizionit dhe iniciativës së Vasil Llajos, për të sjellë një risi në stadin mjekësor privat. “Intermedica” është laboratori i parë privat, pionier i kësaj ndërmarrjeje madhore.

Aktiviteti synonte ofrimin e praktikave më të përparuara ndërkombëtare në shërbim të pacientëve në Shqipëri. Në bashkëpunim me specialistë të botës perëndimore “Intermedica” realizon jo vetëm diagnostifikimet laboratorike rutinore, por një sërë ekzaminimesh që përfshijnë biologjinë molekulare, gjenetikën, që bëjnë të mundur të zbulojnë e parandalojnë shumë sëmundje. “Intermedica” pasqyron përpjekjet e një pune voluminoze, pararojë në fushën e shëndetësisë.

Po ky nuk është kufiri i fundit. Vasil Llajo, ambicien e ka për më shumë dhe nuk rresht së ngulmuari e kërkuari të sjellë në shërbimin shëndetësor teknologjinë e fjalës së fundit të shkencës, të asaj që paralel me shtetet më të zhvilluara, të mund të arrihet edhe në vendin tonë. Këto mundësi janë të prekshme pranë klinikës “Intermedica” rrjeti i të cilës shtrihet me 20 filiale në Tiranë, një në Sarandë por edhe Kosovë.

Në “Intermedica” punojnë mbi dyqind profesionistë të specializuar, trajnuar dhe formuar sipas standarteve më të fundit mjekësore. Krijuar 25 vjet më parë vazhdon rritjen duke siguruar qëndrueshmërinë e shërbimeve, cilësinë, inovacionin në fushën e shëndetësisë. Por ajo që e bën të veçantë “Intermedica-n” dhe e vendos para laboratorëve të tjerë , është metodika që përdor në nxjerrjen e analizave, implementimi i metodave më të reja laboratorike. Sot “Intermedica” është rrjeti më i madh laboratorik në Shqipëri. Institucioni shëndetësor jopublik që operon në fushën e ekzaminimeve laboratorike në një spektër të gjerë të analizave, duke filluar nga kimia klinike, hormonale, imunologjike, bakteriologjike e deri te biologjia molekulare dhe gjenetika.

Në vitin 1997 nga “Intermedica” për herë të parë në Shqipëri u aplikuan ekzaminimet e citogjenetikës dhe në vitin 2000, në të u realizua për herë të parë në Shqipëri matja e ngarkesës virale të Hepatitit “ B” dhe “C”. Mbi bazën e rezultateve të analizave laboratorike kryer në “Intermedica” pedagogë të Universitetit Mjekësor të Tiranës, referuan në Kongresin Botëror të Hepatologjisë në Kanada. E para qendër diagnostike që ka instaluar në Shqipëri Modular Cobas 6000,Cobas TaqMan 48 PCR, Cobas E411, Integra 400, Stago Compact, Sebia, Capillary Electrophoresis, Cobas U411 and Sysmex XS-1000i dhe XN-550, VITEK 2 Compact dhe Sysmex UN. Ky sistem i cakton çdo pacienti një bar kod unik, të pandryshueshëm gjatë gjithë proceseve ekzaminuese. Por jo vetëm kaq. “Intermedica” bashkëpunon në 300 laboratorë në të gjithë Shqipërinë dhe ka bashkëpunim ndërkombëtar me struktura të rëndësishme Mjekësore në SHBA, Greqi Qipro (NIPD Genetics), në Hollandë (European Laboratory) e Gjermani. (Bioscientia Helathcare Group), etj.

Zbatimi i procedurave të cilësisë e kontrollit të brendshëm, dhe pjesëmarrja në programin e jashtëm ndërkombëtar të kontrollit të cilësisë, mundësoi çertifikimin e laboratorit në Menaxhim me EN ISO 9001-2015 dhe çertifikimin në Akreditim me EN ISO 15189-2012 nga Hellenic Accreditation System (E.S.Y.D.). Nga Nëntori 2019, “Intermedica” implementon gjithashtu sistemin DXA për të ofruar testimin e densitetit kockor dhe analizën e përbërjes së trupit, me mundësinë për të përfituar nga një gamë të gjerë të aplikacioneve klinike. “Intermedica” nga dhjetori 2021 me anë të skanerit më të ri të prodhuar nga kompania SIEMENS Healthineers, aparatura skanerike Somatom go.Noë, prodhim i muajit gusht të vitit 2021 me 32 detektorë, me një risi në teknologji mundësia që kjo platformë jep për realizimin e ekzaminimeve me kontrast intravenoz nëpërmjet shiringës elektrike dhe kontrollit nëpërmjet një monitori të dedikuar është një prioritet në ndihmë të mjekëve dhe të pacientëve. Laboratori “Intermedica” është kontributi që garanton cilësi.

Stafi është i përfshirë në proceset e trajnimit të vazhdueshëm për të siguruar ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e praktikave bashkëkohore në fushën e shëndetësisë dhe shumë studentë mund të ndërmarrin aktivitete kërkimore ose praktika profesionale pranë “Intermedica”. Vetëm në Tiranë funksionojnë në mënyrë kapilare mbi 20 laboratore të “Intermedica”. “Intermedica” ka filial në Sarandë dhe në Kosovë .

Saranda, qyteti ku mbetem përherë borxhli…

“Intermedica” është vërtetë sot rrjeti më i sofistikuar laboratorik privat në Shqipëri. Po doktor, Vasil Llajo, pikë të dobët ka Sarandën. “Është dobësia dhe dashuria ime e parë dhe e fundit”, – thotë ai.

Dhe është ky përkushtim që “Intermedica” në Sarandë, është e kompletuar me personel të kualifikuar vendas dhe të huaj. Me pajisje të nivelit më të përparuar të teknologisë mjekësore. Së fundi u instalua skaneri tridimensional me parametra bashkohorë. Me të qeshur, Vasua,- thotë se saranditët e mi, tani mund të shkojnë në klinikë me shapka ose bizhame. E kanë vetëm pesë minuta larg klinikën e tyre.

“Intermedica” në Sarandë, është fryt i kujdesit të Vasos, është kthimi i borxhit ndaj bashkëqytetarëve të tij. Është zgjidhja për të kryer diagonstikime në qytetin e tyre për të mos udhëtuar qindra kilomtër për një skaner.

Kujdes që shprehet që në hyrje, ku të presin asistentet dhe specialsitët e përkushtuar. Po, Vasil Llajo për Sarandën nuk kufizohet vetëm brenda profesionit apo menaxhimit laboratorik.

Ai nuk lë jashtë vëmendjes për të asistuar edhe materialisht. Jo më kot sa herë bën diçka për qytetin e ëndrrave të tij, i referohet vargjeve të Çajupit: – Atje ku më ka rënë koka, ku balta është më e ëmbël se mjalta. Këto ditë kur në shkollën e mesme të qytetit është në përfundim muzeu shumëdimensional i kësaj shkolle shtatëdhjetëvjeçare nën kujdesin e profesorit të njohur, Xhorxhi Vasili, doktor Vasua me dashurinë për gjimnazin, ku nisi rrugëtimin drejt dijes, sponsorizoi një tablo masive, pikturë, kushtuar hasntahsinasve dhe bustin e dijetarit të shquar, Hasan Tahsini, emrin e të cilit mban kjo shkollë.

Është qyteti im. Janë detyrimet e mia. Këtu kam nisur udhëtimin dhe ia kam borxh, jo vetëm qytetit, po gjithë qytetarëve, – thotë me emocion dhe i përlotur nga gëzimi, mjeku dhe qytetari i respektuar, Vasil Llajo./
Nga Bardhyl Bejko

Të Fundit