Rreth 16 mijë vizitorë në memorialin e Skënderbeut 9 muajt e parë të vitit

Lezha tashmë ofron gjithçka. Kjo është arsyeja kryesore që turistë vendas dhe të huaj vizitojnë vendet historike, ato të kultit, por nuk lënë pas pa shijuar edhe kulinarin e pasur lezhiane.

Interesi i turistëve të huaj për të vizituar Lezhën mbetet i lartë edhe në këto ditë të fundit të Tetorit. Ky qytet nuk frekuentohet jo vetëm për bregdetin por edhe për historinë e kulinarinë. Këtë fundjavë qytetin e vizituan një grup shefash kuzhine nga Franca. Mes dy destinacioneve, Pulias dhe Shqipërisë ata kanë zgjedhur vendin tonë ku kanë ardhur për herë të parë. Shprehen të kënaqur me kushtet dhe peisazhet.

“Kemi ardhur këtu për kulinarinë e zonës. Po shkëmbejmë eksperiencë me shefat e guzhinës. Ndaluam edhe në këtë vend për të parë varrin e heroit tuaj që çliroi Europën.

“Historia juaj është fantastike. Më pëlqejnë peizazhet, plazhet e bukura, hotelet dhe restorantet. Jemi të kënaqur me ato që ofron vendi juaj. Do jua tregojmë edhe të afërmve dhe kolegëve tanë në Francë.”

Një prej atraksioneve është edhe memoriali i heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këtë vit ky vendvarrim është preferuar nga më shumë turistë. Sipas të dhënave, në 9 muajt e parë të këtij viti kanë ardhur rreth 16 mijë vizitorë.

“Krahasuar me vitin e kaluar kemi një rritje prej 45.5%. E veçanta është që hera e parë në historinë e memorialit që ka më shumë turistë të huaj sesa vizitorë nga Shqipëria dhe Kosova. Muajin e fundit e kemi mbyllur me 2 mijë vizitorë ndërsa totali deri tani janë 16 mijë vizitorë.”

Vihet re një interes më i lartë nga turistë të huaj ndërsa ata janë nga shtete të ndryshme të Europës.

“Harta është zhvendosur drejt perëndimit të Europës pasi deri më tani pjesa më e madhe që e kanë vizituar memorialin kanë qenë turistë nga Europa Qëndrore dhe Izraeli vitin e fundit, ndërsa sivjet i kemi nga Europa perëndimore si Zvicra, Franca, Italia dhe Gjermania.

Veç memorialit turistët vizitojnë edhe kalanë e Lezhës si dhe destinacione të tjera në qytet, por edhe në zonat përreth.

Të Fundit