Rrahu prindërit dhe u fsheh në mal, arrestohet 34-vjeçari në Elbasan, policia i gjen armë dhe municion ushtarak

Është arrestuar pas disa ditësh arratisje, një 34 vjeçar nga Elbasani.

Policia bën me dije se i riu kishte dhunuar dhe kërcënuar me jetë dy prindërit e tij, e më pas ka qëndruar i fshehur për ditë me radhë në terrenin malor të fshatit Shushicë.

Në banesën e tij, forcat blu kanë gjetur 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pako me dinamit dhe municion luftarak.

“Ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe i kanosi ata për jetën, në banesë, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari, i cili dyshohet se ka qëndruar i fshehur për disa ditë, në terrenin malor të fshatit Shushicë.  Më datë 05.05.2023, pas ndërhyrjes nga Policia, në banesë u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov, 2 pako me dinamit dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte 34-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u kap në fshatin Shushicë dhe u vu në pranga shtetasi:  D. G., 34 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Elbasan.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, thotë policia.

Të Fundit