Rasti i Tushes dhe i Vodës,Balla:PS s’mban asnjë përgjegjësi, s’bëhemi pis

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, pas takimit me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka dhenë një deklaratë për mediat.

Nga kryesia e Kuvendit i pyetur nga gazetarët lidhur me arrestimet e ish-kryebashkiakut Tushe dhe ish-zv.ministres Voda, Balla tha se qeveria mbështet reformën në drejtësi që do të godasë këdo që shkel ligjin.

Sipas tij, PS ka vendosur një standart dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për asnjë person që ka hesape me drejtësinë.

“Kur ne kemi mbështetur prej ditës së parë reformën në drejtësi ka qenë bindja që institucionet e reja të Reformës në Drejtësi duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe që shpërdoron financat publike. PS ka vendosur një standard që uroj dhe u bëj thirrje që të gjitha forcat e tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë. Fatos Tushe nuk është më pjesë e PS. Ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë (Voda). Sepse këtë standard e kemi vendosur prej shumë kohësh. PS nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo person që këtë hesap e ka personal me drejtësinë. Këto ditë ka qenë edhe dy kryetar të tjerë bashkish nga LSI dhe PD, ku njëra u dënua dhe tjetri është marrë në hetim. Dallimin mund ta bëni thjeshtë. PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ, përgjegjësia është personale. Të gjithë ata që kishin aludime ç’po bën SPAK-u tani të shohin rezultatet”, tha Balla.

“Në këtë vend ka dy standarde. Standardi i vendosur nga ne, distancim dhe përjashtim. Dhe standardi ku organizoheshin gavetat për të furnizuar me ushqime kryetarin e partisë së caktuar që ishte marrë nga drejtësia. Kushdo që ngriti pikëpyetje se PS po kapte institucionet e drejtësisë se re, sot duhet të kapi mikrofonat tuaj dhe të kërkoj falje sepse nuk qenka kështu, po godet sa majtas aq djathtas, kjo është drejtësia që qytetarët kanë ëndërruar. Shqipëria ka sot një drejtësi krejtësisht të pavarur nga politika”, vijoi ai.

Të Fundit