Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh edhe kryeministër ka zbardhur diskutimet e mbledhjes me ministrat në Pogradec.
Rama tha se fokusi i drejtuesve politikë dhe ministrave duhet të jetë te shqetësimet e qytetarëve, ndërsa kërkoi një angazhim më të drejtpërdrejtë në ndjekjen e institucioneve në territor.
Kryeministri theksoi gjithashtu nevojën për një koordinim më të madh mes deputetëve dhe drejtuesve politikë, duke thene se analizimi i përbashkët i problematikave mund të sjellë ndryshim në mënyrën e funksionimit.
“Fiksimi jonë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari. Drejtuesve politike duhet ti japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave duhet ti japim detyrimin që cdo muaj të ndjekin personalisht të gjithë drejtoritë dhe nëse është një grup deputetësh, që fokusohet bashkë dhe i marrin në analizë bashkë, atëherë ndryshon gjeja”, tha Rama.
Socialistët e konsiderojnë të nevojshëm një reflektim pas viteve të gjata në qeverisje dhe kërkojnë që dëgjimi i problemeve të qytetarëve të përkthehet në vendimmarrje dhe rezultate konkrete.
“Dokumenti ‘Besa’ synon që të vërë emra konkretë për shqetësime që artikulohen në publik”, tha Mirela Kumbaro.
“Të njohim problemet e familjes, si edhe problemet e biznesit, problemin e profesionistit, por edhe atë të pensionistit”, tha Ogerta Manastirliu.
“Besa dhe Prania Besnike ngrenë një shqetësim shumë domethënës. Pas një periudhe të gjatë qeverisje ekziston rreziku i erozionit të besimit”, tha Arbian Mazniku.
“Sfida më e madhe do të jetë si ta kthejmë dëgjimin në një vendimmarrje dhe rezultat”, tha Erion Malaj.
“Padyshim që një reflektim i tillë i thellë është i domosdoshëm”, tha Evis Kushi.
“Kjo është komplet kulturë e re që ne duam të përqafojmë, qeverisjen”, tha Milva Ekonomi.
Enea Karakaçi propozoi që në çdo ministri të ketë një njësi “Besa”.
“Do ishte me vlerë të kishim edhe nga një njësi ‘Besa’ në secilën ministri”, tha Enea Karakaçi.
Një tjetër pikë ku socialistët kërkojnë ndryshim është përgjegjësia për rezultatet. Adea Pirdenji thotë se mungesa e performancës nuk duhet të kalojë pa pasoja.
“Një nga problematikat kryesore lidhet me tendencën e vazhdueshme, të përhershme, për të mos ndëshkuar mungesën e performancës”, tha Adea Pirdenji.
Për Fatmir Xhafajn, synimi duhet të jetë forcimi i marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve, ndërsa Bledi Çuçi e sheh dokumentin “Besa” si një kërkesë që vjen nga vetë shoqëria.
“Të ndërtojmë një sistem të dyfishtë besueshmërie përmes marrëdhënies qeveri-qytetarë”, theksoi Fatmir Xhafaj.
“Besa, dokumenti i parë, është një lloj imponimi që ka ardhur nga shoqëria”, tha Bledi Çuçi.
Modeli i ri synohet të shtrihet në të gjithë vendin. Ervin Demo e sheh atë si një sistem që duhet të zbatohet në 12 qarqet, ndërsa Ermal Nufi e vendos përgjegjësinë për “Praninë Besnike” te drejtuesit politikë, deputetët dhe krerët lokalë të PS-së.
“E para e perceptoi si një sistem kombëtar i cili duhet të aplikohet në 12 qarqet e vendit, për të kuptuar atë çfarë ndodh në territor dhe për të pasur një panoramë të qartë”, tha Ervin Demo.
“Implementimi i Pranisë Besnike i ngelet drejtuesit politik, deputetit dhe kryetarëve të partisë në rrethe”, tha Ermal Nufi.
“Besimin e ndërtojmë përmes të vërtetave dhe fakteve. Do të thotë përmes punës sonë”, tha Niko Peleshi.
“Qeveria prodhon politikë, partia ndërton marrëdhënie, qeveria administron shtetin, partia dëgjon njerëzit. Ndarja është jashtëzakonisht shumë elegante”, tha Iris Luarasi.
“Dokumenti Besa e ka sjellë të plotë atë që është institucionalizimi i asaj që është qendërzim informacioni, unifikim sjellje, analizë faktesh, reagim për fazën që vjen më pas duke marrë edhe masa”, tha Anila Denaj.
Takimi me ministrat në Pogradec zgjati rreth 7 orë dhe u përqendrua te mënyra se si qeveria do t’u përgjigjet problematikave të qytetarëve dhe te përmirësimi i shërbimeve. Rama kërkoi më shumë kontroll mbi institucionet në varësi, ndërsa në fokus u vendosën sektorë si shëndetësia, arsimi, strehimi, politikat sociale dhe çmimet e ushqimeve bazë.
Pjesë e qasjes së re është edhe platforma “Pasqyrë Albania”, e cila synon që ankesat e qytetarëve të marrin përgjigje brenda dy javësh. Ajo do të mbështetet në dy mekanizma: “Flamingo Albania”, që do të mbledhë shqetësimet dhe ankesat, dhe “Radar”, për të ndjekur në kohë reale se si po trajtohen dhe zgjidhen ato nga ministritë, bashkitë dhe institucionet e tjera.



