Kryeministri Edi Rama deklaroi se për të gjitha tokat të cilat përdoren nga pronarë pa dokumente, sipas ndarjes me ligjin 7501 dhe që pengojnë investimet të rëndësishëm në bujqësi dhe agroturizëm, shteti do të ndërhyjë duke e zgjidhur problemin në favor të investitorit.
Nga Bulqiza, Rama u shpreh se në rastet kur investitorë të caktuar do të duan të bëjnë investime, por toka nuk ka pronarë me letra, atëherë shteti do e regjistrojë tokën në emër të investitorit.
“Zgjidhja që ne do t’i japim ndërkohë që kemi bërë dhe disa ndryshime të nevojshme për të bërë regjistrimin në këto zona, ajo që do t’i japim është që në qoftë se vjen dikush, ose vijnë disa dhe thonë këtu do të ndërtojmë një pikë grumbullimi, do bëjmë një investim X për zhvillimin bujqësor apo blegtoral, ne do t’ia regjistrojmë atë copë toke që është për këtë aktivitet, me barrën që nëse do të shfaqet një problem X në të ardhmen, këtë problem cilido që e shfaq e ka me shtetin, nuk e ka me personin.
Personi e merr, e gëzon atë përgjithmonë në bazë të faktit. Po që se dikush tjetër del dhe e pretendon, me të do merret shteti, nuk merret më personi dhe kështu jemi në rregull. Kjo është mundësi teorike sepse e thashë, këto toka nuk kanë konflikte. Me mbështetjen e njësisë administrative dhe të bashkisë që e certifikon këtë fakt, që zotëria që foli e ka të punuar tokën, i ka reale prodhimet, është reale që s’ka konflikt në ato copa toke që i ka blerë nga të tjerët edhe që dihet kush janë, mund ta përfitojë atë mbështetje duke marrë regjistrimin e tokës në bazë të asaj që prodhon dhe të letrave të shitblerjeve me persona të caktuar. Kjo është zgjidhja që do na ndihmojë dhe do ta bëjmë shumë shpejt”, theksoi kreu i qeverisë.