Kryeminstri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesen e Marrëdhënieve me Qeveritë&Politikën Publike të TikTokut për Europën.
Rama gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, tregoi se ka diskutuar shqetësimet që çuan për mbylljen e platformës në vendin tonë.
Ai zbuloi se TikTok do të mbyllet shumë shpejt, por kanë vendosur disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e aplikacionit në një kohë sa më të arsyeshme, por me të gjitha garancitë e nevojshme.
“Davos, Forumi Ekonomik Botëror – Me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë&Politikën Publike të TikTokut për Europën, shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë. Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, njoftoi mbylljen e platformës si pjesë e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla.
Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me thikë të 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës ‘Fan Noli’, gjatë një konflikti me një tjetër nxënës Mario Përlleshi, ndodhur më 18 nëntor 2024.
Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre.
Pa prova konkrete që vërtetojnë se TikTok është shkaku kryesor i problemeve të identifikuara, ndalimi mund të konsiderohet i pabazuar dhe arbitrar.