Kryeministri Edi Rama prezantoi në Ruhr Summit në North Rhine-Westphalia vizionin e tij mbi rolin e inteligjencës artificiale në qeverisje, pushtet dhe zhvillim, duke e cilësuar Shqipërinë si një “laborator të vogël inteligjent” në Evropë.
Në fjalën e tij, Rama e krahasoi transformimin industrial të rajonit të Ruhr-it me sfidat e epokës së re teknologjike, duke theksuar se inteligjenca artificiale nuk është një burim natyror, por një mundësi që u përket atyre që dinë ta shfrytëzojnë.
Ai solli si shembull procesin e digjitalizimit në Shqipëri, duke theksuar se mbi 1 mijë shërbime publike ofrohen tashmë online, çka sipas tij ka reduktuar hapësirat për korrupsion. “Është jashtë mase e vështirë t’i japësh ryshfet një serveri”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar historisë së Ruhr-it, ai vlerësoi aftësinë e rajonit për t’u përshtatur pas rënies së industrisë së rëndë, duke e parë si shembull të transformimit ekonomik dhe social.
Në pjesën e fjalimit kushtuar Shqipërisë, Rama përmendi periudhën e izolimit gjatë diktaturës dhe trashëgiminë e burokracisë pas hapjes së vendit, duke theksuar se sfida kryesore nuk ishte thjesht digjitalizimi i shërbimeve, por rikonceptimi i vetë ushtrimit të pushtetit.
“Më lini t’ju them një histori për Shqipërinë, që na kujton se sa shpejt historia mund të përmbysë veten. Pothuajse gjysmë shekulli jetuam brenda diktaturës më izoluese të këtij kontinenti, ndërtuam bunkerë në vend të urave, shteti dinte gjithçka për qytetarët, qytetarët nuk dinin asgjë për shtetin. Kur liria erdhi, trashëguam demokraci por edhe burokraci. Përtej çdo sporteli qëndronte dikush që zotëronte diçka më me vlerë se sa dokumenti, pushtetin për të marrë vendime. Sfida para nesh nuk ishte të digjitalizonim formularët por të rikonceptonim vetë pushtetin sepse dhe këtu vijmë te korrupsioni. Korrupsioni nuk është thjesht një dështim moral, është një dështim arkitekturor, lulëzon kudo ku mbijeton pushteti i vendimmarrjes së panevojshme. Bëmë një zgjedhje, të rishpiknim marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit. Sot Shqipëria ka më shumë se sa 1000 shërbime publike plotësisht digjitale dhe për të gjitha këto shërbime qytetarët nuk kanë nevojë të shkojnë askund dhe të takojnë askënd. Është jashtë mase e vështirë që t’i japësh ryshfet një serveri”, tha Rama mes të tjerash.



