Rama: Inteligjenca artificiale do përdoret vitin e ardhshëm në e-Albania

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, qytetarët do ta kenë shërbimin e e-Albania, brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm në xhep me zë dhe figurë përmes inteligjencës artificiale.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Pogradec, Rama u shpreh se, “të rrisim shumë më tepër kapacitetet e vendit në teknologji”.

“Flas për digjitalizimin, për të gjitha sistemet teknologjike që mundësojnë një shpejtësi shërbimesh dhe një transparencë të lartë të punëve të shtetit dhe patjetër ulin të gjitha ato abuzime që vijnë si rezultat, qoftë i ryshfetit dhe i korrupsionit, qoftë edhe i paaftësisë apo i humbjeve të pafundme në kohë të burokracisë”, u shpreh ai.

Rama foli edhe për platformën e-Albania, duke thënë se do të zhvillohet përmes inteligjencës artificiale.

“Tani shumë shpejt E-Albania do ta keni në një formë tjetër që do të jetë një formë, njësoj sikur shkruani mesazhe dhe merrni mesazhe dhe do të mund të komunikoni me e-Albania në kohë reale përmes një sistemi të ri që jemi duke e përfunduar dhe pastaj besoj brenda gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm do ta keni e-Albania në xhep me zë dhe figurë përmes inteligjencës artificiale”, vijoi Rama.

Kjo tha Rama, zhduk komplet sekserët, qoftë nevojën për kushërinj apo krushq si edhe kohën e pafundme që të harxhon marrëdhënia me zyrat.

 

Të Fundit