“Rama i mashtroi shqiptarët”/ Basha për legalizimet: E kemi borxh të dyfishtë për të korrigjuar edhe për të çuar në vend dështimet e këtyre 8 viteve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në një familje të Kamzës, që iu ankua për problemet me të cilat po përballet lidhur me procesin e legalizimit të banesës. Kryefamiljari Gjergj Palucaj u shpreh gjatë bashkëbisedimit me kryedemokratin se edhe pse i ishtë premtuar që në 2013-ën që do t’i jepej legalizimi, ai sot endet akoma zyrave të shtetit por nuk po gjen zgjidhje.

Kryedemokrati i garantoi që procesi i legalizimeve “që e nisëm ne, do ta çojmë deri në fund”.

“Po të garantoj ty dhe gjithë familjet, që kanë ngecur 8 vite se ai nuk e mbajti premtimet për legalizimet falas, që ne do ti përmbyllim e do ti hapim rrugë, sepse e kemi borxh ndaj jush në radhë të parë që e lamë në dorë të tij dhe e kemi borxh të dyfishtë për të korrigjuar edhe për të çuar në vend të gjitha ato dështimet e këtyre 8 viteve”, tha Basha.

Gjergj Palucaj: Jo, të pa legalizuar e kam. E kam ndërtuar para 25 vitesh, në 96-ën, edhe para 2006 aplikova për legalizim, çdo gjë në rregull, e kam me certifikatën pronësie tokën, ndërtimin. Më thirrin para tre vitesh në te telefon, në 2013-ën dolën me një pankartë para të gjithë popullit të Kamzës, deklaroi me përgjegjësi që do të bëjë legalizimet falas, për të gjithë shqiptarët, edhe me thёnё tё drejtën, tё jem i sinqertë, ja dhёnё votën nё 2013-ën se do ta bënte legalizimin. Prit s’ka! Mё thirri njё me emrin Edi, mё thotë, jam Edi te Aluizni thotë, hajde ka dalë emri pёr legalizim dhe u kënaqa, shkova gjithё qejf. Kur shkoj thotë nё rregull je, mё sill dhe njё herё letra e ja çova. Prit njё javë e prit njё muaj, prit njё javë e prit njё muaj, prit e prit, pastaj nё fund mё tha shko te dogana, ai se bёri.

Ai gjithashtu thotë se edhe pse i ka shkruajtur kryeministrit, përsëri nuk ka gjetur asnjë zgjidhje. Të vetmet familje që e kanë marrë legalizimin, janë ato familje që kanë dhënë ryshfete deri në 4 mijë euro.

Gjergj Palucaj: I shkruajta Ramës. Ky ktheu përgjigje, tha shkruaji Shqipërisë që Duam. I shkruajta unë, i shkruajta herën e dytë kur më vjen një përgjigje se ku kanë humbur dokumentet, por sill dokumentet këtu thotë. I çoj unë me numër protokolli me vërtetimin e Aluizni-t që kam aplikuar me numër protokolli, me leje e me të gjitha. I çoj edhe certifikatën e pronësisë me e-mail ia çova prapë, s’më ktheu përgjigje asnjëherë. Kam bërë vetëm 6% të Rilindjes Kombëtare. Që i thotë ai Rilindje 65-shi edhe ka bërë ndonjë që ka paguar lekë. I pyes disa unë, thonë kanë paguar 5 mijë euro, 3 mijë euro, 4 mijë euro!

Për këtë problematikë, Basha tha se legalizimet kanë qenë një nga gënjeshtrat më të mëdhaja të kësaj qeverie. Por kjo do të marrë fund pas 25 prillit, ku procesi me legalizimet do të përmbyllet, pasi sipas Bashës ky është një borxh i Partisë Demokratike ndaj qytetarëve.

Lulzim Basha: Tani i gjithë ky proces është kthyer në një proces korrupsioni. E para e punës ai i mashtroj shqiptarët, siç mashtroj me 300 mijë vendet e punës ashtu mashtroj edhe me legalizimet falas edhe me shëndetësinë falas. E dyta e punës, ai e ka përdor për të pasuruar dhe mbushë xhepat e administratës së korruptuar se kanë vajtur njerëz të korruptuar kudo. Ti po me thua që 6% i kanë marrë pjesa tjetër jo.

Pse? Sepse për të edhe çështja e legalizimit nuk është çështje e vuajtjes, e gjakut, e djersës, e mundit tuaj por është çështje e pushtetit të tij politik.

Tani kemi një shans të bëhemi të gjithë bashkë në 25 prill. Dhe unë të garantoj që ai proces që e nisëm ne, do ta çojmë deri në fund. Po të garantoj ty dhe gjithë familjet, që kanë ngecur 8 vite se ai nuk e mbajti premtimet për legalizimet falas, që ne do ti përmbyllim e do ti hapim rrugë, sepse e kemi borxh ndaj jush në radhë të parë që e lamë në dorë të tij dhe e kemi borxh të dyfishtë për të korrigjuar edhe për të çuar në vend të gjitha ato dështimet e këtyre 8 viteve. Kështu që mos u mërzisni, këtë që po më thua e prek kudo, ka padurim të njerëzve.

Më 25 prill bëhemi të gjithë bashkë për ndryshim edhe fitojmë edhe legalizimet, edhe ekonominë, edhe me shpresën e Zotit jo vetëm mos të largohen më fëmijët e shqiptarëve por të kenë mundësi edhe ata fëmijë që janë larguar, fëmijët tuaj që janë larguar t’ju krijojmë kushte të kthehen këtu me paga dinjitoze.

***

LULZIM BASHA TAKIM NË NJË FERMË TË VOGËL NË MARIKAJ

Në vizitën e tij në Vorë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në një fermë të vogël në Marikaj, ku Zonja Mira Maraj ka 50 vite që merret me këtë punë. Ajo tha se puna e saj vlen vetëm për të siguruar bukën dhe për të jetuar.

Përpos mungesës së tregut për t’i shitur prodhimet, zonja iu ankua kryedemokratit se edhe shteti nuk i ka ardhur në ndihmë me asnjë subvencion.

Mira Maraj: Ja shikoje. Kemi mbjell, por nuk shkon pazari!
Lulzim Basha: Nuk shkon pazari?!
Mira Maraj: Jo! Ja, me spinaq, me sallata…
Mira Maraj: Jam e vjetër, kam heq edhe zinë. Tani është koha që nuk sigurojmë bukën, ne me atë punë hamë. Janë përgatitur se i hedhim pleh, i hedhim dap, i hedhim ashtu për krimb…
Lulzim Basha: Nuk merrni asnjë mbështetje nga shteti?
Mira Maraj: Asnjë gjë pra!
Lulzim Basha: Asnjë subvencion asnjë gjë?
Mira Maraj: Asnjë gjë! Sa për të jetuar!

Basha tha se e vetmja arsye e mungesës së tregut, është rritja e fukarallëkut tek njerëzit dhe fuqia blerëse ka rënë.

Zgjidhja e vetme, sipas tij, është ndryshimi që do vij më 25 prill, ku qeveria do të jetë në krahun e çdo fermer i shqiptar.

Lulzim Basha: Unë ja kam ardhur me të takuar e me të thënë të lumshin duart për gjithë këtë punë që ke bërë gjithë jetën tënde.

E dyta, më të thënë se gjithë kjo punë që bëni ju, gratë e Shqipërisë, gjyshet, nënat e Shqipërisë ka nevojë që të shpërblehet. E deri më sot, siç ma the dhe vetë, mbillni, përgatisni, i bëni gati dhe nuk arrini me i shit. Arsyeja kryesore pse nuk arrini me i shit është se, e ke pa, fukarallëku është rrit. Fuqia e njerëzve për të blerë ka ra, mezi shkojnë blejnë dy kokrra domate në treg.

Ekonomia është tërësisht e shkatërruar. Kështu që dua t’i them të gjithë grave punëtore në veçanti në fshat, nga gocat e reja deri te nënat si ty, që ne do bëjmë gjithçka që ekonomia të vihet në lëvizje e njerëzit të ketë para për të blerë këto prodhime të mrekullueshme, që zgjidheni pa gdhirë dhe punoni gjithë ditën për ti kultivuar dhe për ti prodhuar.

Në 25 Prill është data dhe të gjitha këto prodhime të mrekullueshme ne do garantojmë që të shkojnë në treg dhe njerëzit të kenë lekë për t’i blerë. Kjo është një nga gjërat kryesore që do të ndryshojmë me fshatin, se ne fshatin e kemi prioritet të planit tonë dhe 100 milionë euro në vit do t’i ndajmë për subvencione, domethënë në bazë të prodhimit që bën do merrni para nga shteti për të paguar të gjitha këto që thua ti, fidanët, plehrat, dapi që the.

Do t’i ndihmojë të gjithë njerëzit punëtorë të këtij vendi e në veçanti nënat punëtore si ty. Siç po largohet dimri, do të largojmë edhe të keqen me 25 Prill.

Të Fundit