Rama flet në samitin në Dubai: Si arrita të kem më shumë gra se burra në qeveri

Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar këtë të martë në “World Government Summit 2023” në Dubai, ku foli mbi rolin e qeverisjes së gruas në shekullin e XXI.

Gjatë fjalës së mbajtur në panel, Rama zbuloi mënyrën si arriti të krijonte një kabinet me më shumë gra se sa burra.

Rama tha se në mandatin e tij të parë kishte si objektiv një kabinet me 50% gra dhe 50% burra. Pastaj ai shton se gjithçka ndodhi natyrshëm pasi personat e duhur për atë post ishin vetëm gra.

Pjesë nga intervista:

Dubai Abulhoul: Shkëlqesia juaj, ndërkohë që përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim, janë novatore dhe të sinqerta, cila është këshilla juaj për udhëheqësit në vende të ndryshme, organizata shumëpalëshe apo në sektorin privat. Si do t’i këshillonit që të mos ta përdorin kartën e grave si një kartë për të fituar pikë politike dhe si bën dallimin midis fuqizimit autentik të grave dhe atij më teatral?

Rama: Dëgjoni, ka dy gjëra që mund të them lidhur me pyetjen tuaj shumë interesante, por jo edhe të lehtë. E para, është se tani për tani nuk duhet të shqetësohemi për atë çfarë ju e quani teatrale, sepse çfarëdolloj gjëje të bëhet në këtë drejtim, është diçka e mirë. Nxjerrja më shumë në pah e grave, dhënia e më shumë hapësire për to, dhënia e më shumë mundësive për të marrë pjesë dhe për të përfaqësuar është e një rëndësie thelbësore e ndonjëherë kjo duhet të ndodhë përmes mjeteve që mund të duken si të imponuara apo të detyruara nga autoriteteti i parlamentit apo autoriteti i shtetit apo autoriteti i vetë drejtuesit/sunduesit kur vjen fjala për disa vende arabe, por duhet të ndodhë. Kjo është diçka që vlen edhe që vlen edhe për kuotat. Dikush mund të argumentojë nëse kuotat janë gjëja e përsosur për t’u bërë, por në të njëjtën kohë ato janë një gjë e mirë për t’u bërë.

Pastaj vjen tek ushtrimi i mirëfilltë. E përmendët në fillim dhe e pashë të shkruar edhe në prezantim. Shifrën e grave në qeverinë tonë që praktikisht është më e ekzagjeruara në mbarë botën, është mbi 70 %, por nuk është diçka që erdhi sepse donim që të ishte kështu, erdhi në mënyrë shumë të natyrshme. Në fillim kur krijova qeverinë e parë, ishte diçka që doja ta kisha, 50 me 50%, por më pas në përpjekjet për të përzgjedhur personin e duhur për punën e duhur, unë e kuptova se më në fund kishte më shumë gra sesa burra që ishin të përshtatshme për punën që duhej bërë, ndaj erdhi në mënyrë të natyrshme.

Do të isha shumë më i hapur edhe në ato raste kur është siç e quani ju, teatrale, sepse përmes kësaj teatraleje, gjërat fillojnë dhe bëhen të natyrshme. Shikoni për shembull se çfarë ndodh ditët e sotme në Arabinë Saudite, me te gjitha diskutimet e kritikat, me të cilat mund të përballeni, ndërkohë që diskutimet zhvillohen në botën perëndimore, por zhvillimet janë vërtetë mbresëlënëse dhe sigurisht në njëfarë mënyre duhet të niste me teatralen.

Të Fundit