Kryeministri Edi Rama, duke folur para grupit parlamentar të PS-së, u ndal te investimi në Sazan dhe Zvërnec dhe tha brenda disa javësh në platformën PasqyrAlbania do të ekspozohen në mënyrë të detajuar të gjitha aspektet e investimit, përfshirë dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave dhe referencat ligjore për problematikat e ngritura.
“Së shpejti, çështje javësh, shfaqja e parë e Pasqyrës, sepse është një punë goxha e madhe për ta ndërtuar gjithë këtë arkitekturë të re, do të jetë një komponent, Flamingo Mirror, ku do të ekspozohen nga A te Zh të gjitha aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë dhe, në rastin konkret, tema e Sazanit, e Nartës, Pishë-Poros, jo Nartë-Vjosës, nuk ka, është lajm i rremë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusin e negociatave, referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj do të pasurohet hap pas hapi”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, mjeti themelor i PasqyrAlbania do të jetë kartela publike, e cila do të paraqesë se cila është puna që po bëhet, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek, ku ndodhen dokumentet, cili është statusi dhe cila është prova.
Rama theksoi se Pasqyra nuk do të përmbajë tekste propagandistike apo deklarata për atë që qeveria do të bëjë, por të dhëna dhe dokumente mbi atë që po bëhet.



