Prej 5 ditësh, punonjësit e pastrimit në qytetin e Sarandës po protestojnë përballë bashkisë.
Shkak i protestës së tyre është paga e ulët, dhe sipas pretendimeve të tyre ata paguhen 24 mijë lekë në muaj, nga 28 mijë që duhet të paguheshin. Punonjësit theksojnë se po kërkojnë vetëm të drejtën e tyre.
“Për rritje page, kemi 5 ditë sot që kemi lënë punën. Po bëjmë 2 ditë në bashki dhe nuk ka përgjigjet askush. Çfarë do tw bëhet me ne. Ne duam të drejtën tonë, nuk duam nga xhepat e atyre. Dua atë që më takon mua. 4 orë punoj, 240 rroga. Ne sot kërkojmë të drejtën tonë.”
Madje shtojnë se janë kërcënuar me largim nëse nuk kthehen në punë.
“Nga prilli deri sot ne kemi punuar me 240 mijë, ndërsa paga është ngritur me 320 mijë. Kam shkuar te tatimet e kam marrë online dhe më ka thënë kështu, 280 mijë duhet të marrë sh në muaj dhe sigurimet i ke me firmën.
Gjysmat firma, gjysmat ne. tani unë ku ta gjej të drejtën time? Kam 16 vjet në këtë punë. Jam me qira, halle dhe probleme.
Këtu nuk na përfill njeri, na bëjnë dhe presion. Na thonë që do të marrin punëtorët nga Tirana të vijnë të punojnë këtu.
Pse? Dje dhe sot na kanë kërcënuar me largim nga puna. Ku ta gjejmë të drejtën?”
“Ne kërkojmë një të drejtë, të na rritet rroga. Pushime nuk kemi, kushte jo. Ne punojmë në të zezë dhe asgjë nuk fitojmë. Po dalim me humbje.”
Pavarësisht se kanë kërkuar takim edhe me përfaqësues të bashkisë, deri tani askush nuk i ka pritur, duke bërë që ata të qëndrojnë përpara dyerve të bashkisë. Një tjetër kërkesë e punonjësve të pastrimit është edhe ditët e pushimit dhe leja vjetore.