Institutit të Mjekësisë Ligjore ka reaguar ndaj akuzave që avokati Arben Llangozi bëri në drejtim të këtij institucioni për rastin e vdekjes së Antonio Karafilit, e ndodhur shtatë vite më parë dhe e zbardhur vetëm pak ditë më parë.
Sipas hetimeve të përfunduara, autorët e ngjarjes dolën se ishin, ish-e dashura e tij, Kejsi Spahillari, dhe partneri i saj, Rezhep Vathi. Avokati i familjes së viktimës, Arben Llangozi, ka rrëfyer se procesi gjyqësor ishte shoqëruar me kaos për shkak të trillimeve dhe manipulimit të provave, madje e etiketoi Institutin e Mjekësisë Ligjore si organizatë kriminale.
Lidhur me këto akuza, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka deklaruar se asnjë nga deklaratat e avokatit Llangozi nuk është i vërtetë dhe se aktet e ekspertizës mjekoligjore bëhen mbi bazë të kritereve shkencore dhe mjekësore. Sipas këtij Instituti akuzat e Llangozit janë një manipulim i opinionit publik dhe një cenim i drejtësisë. Më tej theksohet në deklaratën e Institutit të Mjekësisë Ligjore se do të ndjekin rrugën ligjore për këto akuza, të cilat ata pretendojnë se janë të pabaza.
Vlen të theksohet se nga asokohe, për rastin e Antonio Karafilit ekspertiza mjekoligjore përcaktoi se i riu kishte humbur jetën pasi ishte varur me çarçaf. Gjithçka do të ndryshonte 7 vite më pas, kur nga provat e grumbulluara dilte se i riu ishte vrarë dhe më pas ishte varur nga dy autorët në një pemë me një çarçaf. Nga hetimi i fundit i prokurorisë u hasën parregullsi në prova që sollën më pas zbulimin e të vërtetës.
Reagim zyrtar i Institutit të Mjekësisë Ligjore:
Instituti i Mjekësisë Ligjore shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë profesional për deklaratat publike të avokatit z. Arben Llangozi, i cili në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa asnjë bazë shkencore ka sulmuar aktet e ekspertizës mjekoligjore dhe ka etiketuar Institutin si “organizatë kriminale”.
Këto deklarata të bëra nga ky avokat në disa media televizive si Top Channel, MCN TV, përbëjnë një shpifje të rëndë, një fyerje ndaj një institucioni të pavarur që vepron në bazë të ligjit, dhe një përpjekje të qartë për të cenuar integritetin e provave mjekoligjore në procesin penal.
Theksojmë se në të gjithë botën demokratike, mjekësia ligjore jep mendime profesionale mbi bazë të kritereve shkencore dhe mjekësore. Vlerësimet juridike dhe analizat mbi rrethanat e vendngjarjes i përkasin ekskluzivisht organit të hetimit penal dhe nuk bëhen objekt i ekspertizës mjekoligjore. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është një manipulim i opinionit publik dhe një cenim i drejtësisë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore është një strukturë e ndërtuar mbi standarde të larta profesionale dhe shkencore, dhe çdo akt që hartohet nga ekspertët tanë është produkt i punës së pavarur dhe i dokumentuar mbi baza të qarta mjekësore.
Diskreditimi i mjekësisë ligjore me gjuhë denigruese dhe akuza absurde nuk do të tolerohet. Institucioni ynë rezervon të drejtën për të ndërmarrë çdo veprim ligjor për mbrojtjen e reputacionit dhe autoritetit të tij, përfshirë edhe kërkesën për Ministrinë e Drejtësisë dhe DHKA për të disponuar heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit për shkelje të rëndë të etikës profesionale!
Instituti i Mjekësisë Ligjore