Protesta në Francë, qytetarët kundër dhunës së Policisë, sulmohen gazetarë dhe aktivistë

Kryeqyteti i Francës vazhdon të jetë i përfshirë nga protesta, ku qytetarët kundërshtojnë dhunën e ushtruar nga policia, si dhe ligjin për sigurinë që ka vendosur së fundmi qeveria.

Qytetarë, aktivistë të medias së lirë dhe gazetarë kanë marshuar në rrugët e qytetit të Parisit për të protestuar një projektligj për sigurinë që synon të rrisë mjetet e mbikëqyrjes dhe të kufizojë qarkullimin e imazheve të policëve në media dhe në internet. Ky projektligj sipas demonstruesve nuk planifikon të kufizojë vetëm të drejtat civile të qytetarëve, por edhe lirinë e gazetarëve në vend.

Marrja e një vendimi të tillë nga parlamenti ka vënë në lëvizje protestues të shumë, të cilët duke marshuar kanë mbajtur në duar pankarta dhe kanë brohoritur slogane si “LIRI” apo “Ndal cenimit të informimit”.

Projektligji është miratuar me qëllim ashpërsimin e rendit dhe ligjit në vend pjesë e politikës së presidentit Emanuel Macron, pasi Franca është në pritje të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen në vitin 2022.

Qeveria më parë kishte bërë thirrje se forcat e policisë duhet të mbroheshin më mirë nga urrejtja e shfaqur në internet. Megjithatë, arritja e kufizimit të një impakti të tillë online kundër policisë, ka provokuar reagim publik.

Kjo ka sjellë edhe përplasje me policinë,e cila nuk ka kursyer kundërpërgjigjen fizike apo shpërndarjen e protestuesve me anë të ujit.

Pas marshimeve në rrugë qeveria franceze ka bërë me dije se do të rishikojë projektligjin, teksa Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Francës të tërhiqet nga vendimi i konsideruar si “problematik”.

Megjithatë komunikimi  i qeverisë franceze për rishikimin e projektligjit nuk i ka ndalur protestat në vend.

Të Fundit