Dy shtetase të huaja janë arrestuar sot në 6 maj në Tiranë për ushtrim prostitucioni.
Bëhet fjalë për një shtetase kineze dhe një vietnameze, të cilat dyshohet se ushtronin këtë aktivitet në apartamente të marra me qira. Operacioni u zhvillua nga Policia e Tiranës në vijim të aksioneve të koduara “Network” dhe “Foleja”.
Sipas njoftimit zyrtar, ambientet ndodheshin në zona të njohura të kryeqytetit, konkretisht në Rrugën e Durrësit dhe në rrugën “Mine Peza”. Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë sekuestruar një shumë parash dhe tre telefona celularë.
Në pranga ra 33-vjeçarja vietnameze, e cila dyshohet se kishte marrë një apartament me qira ditore për këtë qëllim. Po ashtu u arrestua edhe 43-vjeçarja kineze, e dyshuar për ushtrim prostitucioni në një tjetër apartament. Ndërkohë, një shtetas është proceduar në gjendje të lirë si përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohen nga Policia e Tiranës, 2 faza të tjera të operacioneve të koduara “Network” dhe “Foleja”, kundër ushtrimit të prostitucionit.
Arrestohen 2 shtetase (vietnameze dhe kineze) që kishin marrë me qira, për këtë qëllim, apartamente në Rrugën e Durrësit dhe në rrugën “Mine Peza”.
Procedohet penalisht 1 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.
Sekuestrohen shumë parash dhe 3 celularë.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të qiramarrjes së apartamenteve në zona të ndryshme të kryeqytetit, për të ushtruar prostitucion, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 finalizuan operacionet e koduara:
-“Network”, gjatë të cilit u arrestua shtetasja vietnameze, P. Th., 33 vjeçe, pasi dyshohet se në rrugën “Mine Peza”, kishte marrë një apartament, me qira ditore, për të ushtruar prostitucion;
-“Foleja 7”, gjatë të cilit u arrestua shtetasja kineze, Y. W, 43 vjeçe, pasi dyshohet se ushtronte prostitucion, në një apartament të marrë me qira, në Rrugën e Durrësit. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas, përfitues nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.



