Princi Harry humb betejën në gjykatë, rrëzohet padia 50 milionë paund ndaj Daily Mail

Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur në favor të botuesit të Daily Mail dhe Mail on Sunday, duke rrëzuar padinë me vlerë 50 milionë paund të ngritur nga Princi Harry, Doreen Lawrence dhe disa personalitete të njohura, mes tyre Elton John dhe Elizabeth Hurley.

Paditësit akuzonin kompaninë Associated Newspapers për përdorimin e metodave të paligjshme në sigurimin e informacioneve, përfshirë shkeljen e privatësisë dhe përgjimin e telefonave. Megjithatë, pas një procesi gjyqësor tre mujor, gjyqtari Nicklin hodhi poshtë të 97 pretendimet e ngritura në padi.

Në vendim thuhet se gazetarët e Associated Newspapers dhanë shpjegime bindëse për mënyrën se si kishin siguruar informacionet e publikuara, ndërsa gjykata nuk gjeti prova të besueshme që të mbështesnin akuzat për mbledhje të paligjshme të të dhënave.

Pas shpalljes së vendimit, kompania e cilësoi rezultatin si një fitore të rëndësishme për gazetarët dhe lirinë e medias. Sipas saj, pretendimet më serioze, si përgjimet, monitorimi i telefonatave apo aksesimi i llogarive bankare, mbetën të paprovuara.

Princi Harry udhëtoi nga Kalifornia drejt Londrës për të dëshmuar personalisht në proces. Gjatë seancës ai foli edhe për ndikimin që, sipas tij, mbulimi mediatik ka pasur te bashkëshortja e tij, Meghan Markle, duke e përshkruar përvojën e tyre si një “mjerim absolut”. Edhe pse gjyqtari e konsideroi dëshminë e Harry-t të sinqertë, ai theksoi se aspekti emocional i saj nuk ndikonte në provat dhe faktet mbi të cilat u mbështet vendimi përfundimtar.

Të Fundit