Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka prezantuar sot programin për arsimin, në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit. Gjatë fjalës së saj, Vokshi theksoi se qytetarët i kanë sytë nga PD-ja për të krijuar ndryshimin. Sipas Vokshit theksoi se ky është një plan i kompletuar dhe serioz. Një plan i realizueshëm. Mes të tjerash Vokshi tha se koalicioni i bashkuar, i kryesuar nga Lulzim Basha do të fitojë zgjedhjet në 25 prillit e do ta kthejë Shqipërinë te qytetarët.
Fjalimi i Vokshit:
“Të gjithë kemi parë impaktin që plani ynë ekonomik krijoi në publik.
Njerëzit me të vërtetë i kanë sytë nga ne për të krijuar ndryshimin, për të cilin ka shumë nevojë ky vend.
8 vjet dështimi total.
8 vjet nuk është bërë asgjë, vetëm premtime boshe.
8 vjet qytetarët e dëgjojnë të flasë, por nuk besojnë asnjë fjalë që ai thotë. Ndaj është koha që Rama të largohet.
Investimi në burimet njerëzore e, në radhë të parë, në arsim, është strategjia më e sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe me kthimin më të madh për ekonominë. Ndaj, Lulzim Basha sot do t’ju paraqesë planin e tij se si Shqipëria mund dhe do të fitojë në arsim. Është një plan i kompletuar, serioz. Një plan i realizueshëm. E që do ta zbatojmë menjëherë pasi koalicioni i bashkuar, i kryesuar nga Lulzim Basha do të fitojë zgjedhjet në 25 prillit e do ta kthejë Shqipërinë te qytetarët.
Mqitë e mi,
Atë që Rama dhe qeveria e tij ka bërë në 8 vitet e fundit me arsimin mund ta shihni sot, mund ta prekë çdo familje, çdo prind që çon nxënësit në shkolla, çdo student e çdo pedagog. Sistemi arsimor – nga parashkollori te i larti – është rrënuar! Premtoi 5% të PBB, por financoi më pak se gjysmën, 2.4%, niveli më i ulët ndonjëherë, duke siguruar vendin e fundit në rajon e Evropë. UNICEF llogarit që prej nënfinancimit të arsimit ekonomia shqiptare ka humbur 35 mln dollar në vit e thënë ndryshe 280 mln dollar në 8 vite. Prapambetja, padija e për rrjedhojë braktisja e të rinjve ishte e ardhmja që Edi Rama projektoi për Shqipërinë.
Për Ramën, luksi kryeministror ka më shumë rëndësi sesa shkollat dhe infrastruktura shkollore. Për shkollat ai investoi disa herë më pak se për fasadat shumëngjyrëshe. Ndërkohë që gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD u ndërtuan e rindërtuan 1314 shkolla, në 8 vitet e Edi Ramës numri i shkollave të ndërtuara numërohet me gishtat e dorës, ndërkohë që rreth 430 shkolla u mbyllën më urdhër të tij.
Banka Botërore llogarit se 90% e objekteve arsimore janë pa kushtet minimale. Shqipëria nuk ka kapacitete në infrastrukturën e dixhitalizimit, nuk siguron internet dh e mbi 50% e familjeve nuk kane as kompjuter e as laptop.
Në 8 vjet dështim, Edi Rama e shndërroi sistemin arsimor në një sistem diskriminues për nxënësit dhe studentët e varfër. Për këtë qeveri ata janë qytetarë të dorës së dytë. në bazë të raportit të fundit të OECD, shkalla e braktisjes në ciklin fillor dhe 9-vjeçar shkon nga 5.5% në 7%, sa dyfishi mesatares se vendeve të BE (2.5%) apo trefishi i mesatares së vendeve të OECD (1.8%): Largësia nga shkolla, të ardhurat e pakta familjare, migrimi, varfëria kamë bërë që braktisja e shkollës këto 8 vjet në vendin tonë të jetë sa dyfishi i vendeve të Bashkimit Europian.
Një katastrofë e vërtetë.
Sot, 1 në 4 nxënës apo student braktis shkollën. 32 mijë nxënësit më të mirë më të talentuar në 3 vitet e fundit janë larguar për në universitetet e Europës apo botës. Mësuesit patën një rritje gjigande pagash gjatë qeverisjes së PD, mbi 200%, (marrë parasysh edhe inflacionin e kohës). Rama premtoi rritje të pagave të mësuesve 40%, por rriti vetëm mashtrimet dhe propagandën. Në 8 vjet, duke llogaritur inflacionin, rritja është krejt e papërfillshme. Mësuesit nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, jo më të sigurojnë një jetesë më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Renditja e Shqipërisë në cdo raport të organizatavendërkombëtare, apo në PISA 2018, dëshmon dështimin e politikave 8-vjeçare në arsim, paqëndrueshmëria e kurrikulave, administrimi abuziv të Maturës shtetërore, politizimi i emërimeve në arsimi, diskriminimi i nxënësve nga shtresa të varfra, dështimi në arsimin profesionale kanë bërë që cilësia e shkollimit në Shqipëri të jetë e ulët dhe larg kërkesave të kohës
E njëjta situatë në Arsimin e Lartë. 0.52% e Prodhimit Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe 0.02% për Kërkim Shkencor nuk mundëson zhvillim normal të sektorit, as infrastrukturë fizike e dixhitale të përshtatshme, apo projekte që t’i përgjigjen sfidave të zhvillimit. Kërkimi shkencor është asgjësuar.
OECD llogarit se Qeveria Shqiptare shpenzon 10 herë më pak për një student se mesatarja e vendeve të OECD. (Shqipëri 1700 $, mesatarja e OECD 11.400 $). Ndërkohë që një student shqiptar paguan për master më shumë se ai në Kosovë, Gjermani, Itali, Spanjë etj. Ligji për arsimin e lartë: cënoi rëndë autonominë universitare dhe liritë akademike, degradoi standardet e vetëqeverisjes, dobësoi statusin e pedagogëve, injoroi interesat e studentëve.
Periudha e pandemisë nxori në pah dështimin e politikave të Edi Ramës në arsim. Qeveria dështoi në sigurimin e arsimit cilësor fizik, online apo të alternuar në të gjitha ciklet e arsimit.
611 mijë nxënës dhe studentë rrezikojnë të shndërrohen në brez covid me arsimim të paplotë, jo cilësor që do të ketë impakt negativ ne ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në vitet që vijnë. PD angaxhohet për një sistem arsimor të depolitizuar e meritokratik që të sigurojë arsimim të barabartë, jo diskriminues e cilësor.
Universitetet do të jenë pasuri kombëtare dhe gjenerator i dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit për zhvillimin e vendit. ligji i ri arsimit të lartë do të sigurojë autonomi të plotë universitare, por më së pari do të respektojë të drejtat dhe liritë e studentëve e pedagogëve. Ekipi ynë i ekspertëve ka punuar për të sjellë plane pune që do të përmirësojnë cilësinë e arsimimit e do të ndikojnë në jetën dhe mirëqenien e çdo familjeje shqiptare. Programi i PD kujdeset të trajtojë me respekt e dinjitet mësuesit dhe pedagogët tanë të dashur. Ata janë heronjtë tanë dhe meritojnë shumë më tepër.
Unë e njoh Lulzim Bashën prej shumë vitesh dhe mund të them me besim të plotë se ai është njeriu i duhur, në kohën e duhur për të sjellë ndryshimin pozitiv për të cilin ky vend ka kaq shumë nevojë. Ne mund të themi të bindur se kemi besim të plotë te Lulzim Basha për të udhëhequr vendin tonë drejt një të ardhmeje më të mirë, në një vend ku Qeveria kujdeset për qytetarët e tij.”-shprehet Vokshi.