Presidenti Meta nuk humb kohë, dekreton menjëherë ministrat e rinj Bledi Çuçi dhe Milva Ekonomi

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar menjëherë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar BLedi Çuçi dhe Milva Ekonomi.

Një ditë pasi propozoi në postin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçin dhe në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Milva Ekonomin, kryeministri Edi Rama çoi për dekretim në Presidencë dy emrat e rinj, të cilët u dekretuar në kohë rekord nga kreu i shtetit.

Një ditë më parë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani kreu i shtetit, Ilir Meta iu përgjigj gazetarëve duke thënë se dekretimi i ministrave të rinj do të bëhej me urgjencë.

Bledi Çuçi zëvendëson në këtë post Sandër Lleshaj i cili pak ditë më parë dha dorëheqjen pas presionit të protestave që shpërthyen në vend në kërkim të drejtësisë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i ‘Shqiponjave’.

Pas dorëheqjen Lleshaj theksoi se e mbylli këtë kapitull të angazhimit të tij në krye të ministrisë së Brendshme “me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011”.

 

Të Fundit