Pranga prindërve dhe djalit në Elbasan, u gjendet 5 kg kanabis (VIDEO)

“Relatives” u kodua një operacion antidrogë i policisë së Elbasanit, gjatë të cilit u vunë në pranga një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative, nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në Policinë Elbasan, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni.

Gjatë tij u vunë në pranga bashkëshortët Ilir Çoniku, 46 vjeç, Marjana Çoniku, 41 vjeçe, si dhe djali i tyre Dejvi Çoniku, 23 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit në dy banesa në përdorim nga kjo familje, në Gramsh, janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, që dyshohet se janë prodhuar dhe përgatitur për shitje nga 23-vjeçari dhe prindërit e tij.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dy banesave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një sasi municioni luftarak.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Të Fundit