Dy 16-vjeçarë janë shoqëruar nga Policia, pasi kanë porositur veshje me vlerë 350 euro dhe janë larguar me vrap në momentin që korrieri ia ka dorëzuar, për të mos kryer pagesën.
Për shkak të moshës, ndaj këtyre 2 shtetasve filloi procedimi në gjendje të lirë. Ndërsa, është sekuestruar pakoja me veshje.
Njoftimi i Policisë:
Porositën online, veshje me vlerë 350 euro dhe në momentin që korrieri ua dorëzoi, u larguan me vrap për të mos kryer pagesën, identifikohen dhe shoqërohen në ambientet e Policisë, dy 16-vjeçarë.
Të dy këta shtetas, për shkak të moshës, do të procedohen në gjendje të lirë.
Sekuestrohet pakoja me veshje.
Menjëherë pas njoftimit të marrë nga një shtetas (korrier i një subjekti postar privat), se 2 adoleshentë i kishin marrë një pako të porositur prej tyre online dhe ishin larguar me vrap për të mos kryer pagesën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e këtyre shtetasve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, shtetasit E. K. dhe L. S., të dy të moshës 16 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Për shkak të moshës, ndaj këtyre 2 shtetasve filloi procedimi në gjendje të lirë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua pakoja me veshje, e porositur online.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme