Kryeministri Edi Rama ka bërë një bilanc të dekadës së reformës në drejtësi, gjatë prezantimit të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale.
Rama vlerësoi rezultatet e reformës, duke deklaruar se gjatë këtyre 10 viteve janë arritur rezultate që më parë dukeshin të pamundura. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 shënuan një kthesë në raportin mes drejtësisë dhe politikës.
Ai theksoi se reforma solli një arkitekturë të re institucionale, përfshirë institucionet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, strukturat kundër krimit dhe korrupsionit, sistemin e ri të pagave dhe procesin e vetingut.
Megjithatë, kryeministri pranoi edhe problematikat e shfaqura gjatë zbatimit të reformës, duke nënvizuar se dështimet dhe deformimet nuk mund të anashkalohen.
“Sot, pas 10 vitesh, kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por edhe dobësitë që dolën. Kemi parë rezultate që dikur dukeshin jo vetëm të pamundura, por as nuk imagjinoheshin, por kemi parë edhe dështime dhe deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”, deklaroi Rama.
Duke iu referuar ndryshimeve të vitit 2016, ai tha se Kuvendi miratoi një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, duke synuar shkëputjen e saj nga ndikimi politik.
Në përfundim të bilancit të tij, Rama e përmblodhi ndikimin e reformës me një deklaratë të fortë, duke e lidhur atë me ndryshimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.
“Barra e kthesës së madhe përmes reformës ia ka vlejtur të gjithë qiranë. Një fjali i përmbledh të mirat e kësaj reforme, sa brutale dhe dobiprurëse: në 10 vjet shembëm kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë”, tha kryeministri.



