Pezullohet seanca, Berisha live në rrjetet sociale: Fikeni sa të doni ju mikrofonin, por ja që është mrekullia e Facebook-ut

Seanca e sotme plenare është pezulluar disa minuta pasi në foltoren e Kuvendit shkoi kreu i PD-së, Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka. Fillimisht Noka kërkoi që deputetët e opozitës të kenë kohën e tyre për të folur.

“Këtu keni nxjerrë një listë diskutantësh. Jam unë deputet apo jo? Pse unë kam 2 minuta kohë ndërsa kolegët e tjerë këtu kanë nga 10 dhe 20 minuta. A është kohë folje kjo 2 minuta? Këtu flisni ju që dhe pastaj emëroni edhe ndonjë vasal tuajin për të lexuar fjalim në emër të opozitës, por jo për të bërë kurrë opozitë. Dhe pastaj ikni me qejf dhe alegri me njëri tjetrin, dilni nga kjo sallë dhe mendoni se kryeni detyrën. Kjo është turp, turp, turp”, tha Noka.

Pas fjalës së Nokës, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj kërkoi vijimin me rendin normal dhe me kohën e përcaktuar për deputetët.

“Kalojmë në mocionin për zhvillimin e debatit për integrimin europian. I ezauruam të gjitha çështjet e procedurës. Nuk mund ta merrni Kuvendin përpara duke përsëritur njëri tjetrin. Nëse koha ndahet, koha ndahet. Dhe ndahet duke pasur parasysh madhësinë e grupeve. Ju nuk përfaqësoni grup, duke mos qenë grup kjo kohë ju takon, këtë e thotë rregullorja”, tha Felaj.

Kjo solli reagimin e ashpër  të Nokës i cili shkoi deri tek foltorja duke iu drejtuar Felajt. Ndërsa Berisha u vendos në foltore. Më pas kryedemokrati u fut live në Facebook dhe ka mbajtur fjalën e tij.

 

“Sot ju garantoj se do të jetë një ditë në lartësinë e 12 Nëntorit, por shumë shpejt ajo datë do të kalohet nga protesta të tjera të fuqishme para parlamentit, Bulevardit të Tiranës. Bota dhe Europa do të marrë vesh se hajdutët nuk mund të sjellin kurrë stabilitet, se hajdutët varfërinë, se hajdutët nuk kanë moral. Fikeni sa të doni ju mikrofonin, por ja që është mrekullia e Facebook-ut e cila më lejon mua dhe do të lejojë çdo deputet të komunikojë me zgjedhësit e vet, me qytetarët e vet, me komunitetin ndërkombëtar kudo.  

Hapni parlamentitn, mos kini frikë nga parlamenti. Keni frikë. Ikën. Ja iku zonja Xhaçka, iku investitorja strategjike, ministrja me investime strategjike. Ulsi je bërë famoz. Vetëm 2 mushka kanë ngelur në fshatin tënd pa u punësuar nga fisi juaj. Të gjithë janë punësuar, ndaj edhe bën badigardin e Edi Ramës. Ndaj nuk flet një fjalë edhe për Skavicën”, tha Berisha.

Të Fundit