Ministrja Ibrahimaj prezanton ndryshimet në ligjin e strehimit: Kredi pa interes për banesa deri në 60 mijë euro dhe gjysma e qirasë nga shteti!

Kredi me interes zero, mundësi për të blerë shtëpi pa parapagim dhe subvencionim deri në gjysmën e qirasë. Këto janë disa nga ndryshimet që qeveria propozon në ligjin për strehimin social, me synimin për të ndihmuar çiftet e reja, të rinjtë dhe familjet me të ardhura të mesme që e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e banesave.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar projektligjin, i cili parashikon kredi me interes zero për banesa me vlerë deri në 60 mijë euro dhe kredi me interes 3% për shuma deri në 200 mijë euro. Në të dyja rastet propozohet që përfituesit të mos kenë nevojë për parapagim, përmes mekanizmave të garancisë.

Ibrahimaj solli si shembull një banesë me vlerë 6 milionë lekë, për të cilën kësti mujor i një kredie 30-vjeçare pa interes do të ishte rreth 17 mijë lekë, nga 32 mijë lekë që do të paguheshin me interes 5%. Sipas saj, kjo do t’u kursente familjeve rreth 15 mijë lekë në muaj.

Një tjetër propozim është që shteti të mbulojë deri në 50% të qirasë për një periudhë të kufizuar, duke u bazuar në çmimin mesatar të miratuar nga bashkitë. Kjo masë synon veçanërisht të rinjtë dhe familjet që zhvendosen për studime apo punë.

Projektligji sjell edhe mundësinë “nga qiraja në blerje”, ku një pjesë e qirasë së paguar për banesat e ndërtuara për strehim social dhe të përballueshëm mund të zbritet nga çmimi nëse familja vendos ta blejë banesën.

Qeveria propozon gjithashtu ndërtimin e lagjeve të reja në toka shtetërore, ku 30% e apartamenteve do të jenë për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% për tregun e lirë

Ibrahimaj bëri të ditur se që prej vitit 2018 janë mbështetur rreth 30 mijë familje përmes programeve të strehimit. Ajo tha gjithashtu se rreth 11,5 miliardë lekë, të mbledhura nga bashkitë dhe ende të papërdorura, synohet të vihen në dispozicion të programeve të strehimit përmes një fondi të ri.

Të Fundit