Zhvillime të reja vijnë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se i ka dhënë fund jetës brenda automjetit, pas disa orësh negociatash me Policinë.
Sipas informacioneve paraprake, 35-vjeçari ka humbur jetën pasi dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete brenda automjetit, version i konfirmuar edhe nga njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit.
“Pavarësisht përpjekjeve dhe negociatave intensive të zhvilluara prej orëve të para të mëngjesit, ai nuk iu bind thirrjeve të Policisë dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se i ka dhënë fund jetës me armën e gjahut”, njofton Policia e Shtetit.
Pas lirimit të ish-të dashurës së tij, falë ndërhyrjes së Policisë dhe ekipit negociator të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, vijuan negociatat me 35-vjeçarin me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mëngjesin e kësaj të premte në fshatin Vidhisht, ku mbeti i vrarë Kosta Plaka dhe u plagos bashkëshortja e tij, Belere Plaka. Ish-bashkëshortja e autorit u mor me forcë nga ai, por më pas u lirua gjatë operacionit policor.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje kriminale.



