Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në Konferencën e Kryetarëve lidhur me debatin për pagat e magjistratëve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Balla iu drejtua opozitës, duke theksuar se mazhoranca respekton vendimet e gjykatave dhe se nuk i kundërshton ato përmes protestave.
““Ne kemi respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kemi ushtruar të drejtën tonë kushtetuese për të propozuar ligjin përkatës. Ky krah i Kuvendit nuk ka vënë asnjëherë në diskutim vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të tjera. Ne nuk protestojmë si ju kundër gjykatave, ne respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit dhe jo e gjykatave, duke iu referuar parimit të ndarjes së pushteteve.
“Në botën demokratike, përcaktimi i pagave është kompetencë e Parlamentit, jo e gjykatave”, u shpreh Balla.
Sipas tij, Kuvendi ka ndjekur procedurat e parashikuara dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar brenda afateve projektligjin që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me statusin e magjistratëve.
Balla deklaroi se projektligji duhet të shqyrtohet me prioritet në komisionet parlamentare dhe më pas të kalojë për miratim në seancë plenare.



