“Open Balkan”/ Hapet për Shqipërinë tregu serb i grurit dhe i misrit

Edhe pse tregjet e tjera ndërkombëtare mund të jenë bllokuar nga lufta në Ukrainë, gruri dhe misri nga Serbia do të eksportohet lirisht në drejtim të tregut dhe konsumatorit shqiptar.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd, ku është takuar me ministrin serb të bujqësisë, Branislav Nedimovic dhe ka konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

Në kuadër të marrëveshjes “Open Balkan”,  kontratat e lidhura për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme do të vijojnë normalisht.

“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht. Ne garantuam njëri- tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit. Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”, tha ministrja Krifca.

Të Fundit