Një oficer i Komisariatit të Policisë Sarandë është përfshirë në një konflikt fizik mbrëmjen e së enjtes në qytet, ndërsa policia ka zhvilluar kontrolle të shumta dhe ka shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të Sarandës. Sipas informacioneve paraprake, oficeri i krimeve Mihal Velço po lëvizte me motor kur është përballur me një grup personash. Fillimisht ndaj tij ka pasur fyerje dhe kanosje verbale, ndërsa më pas situata ka degraduar në përplasje fizike.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt të çastit dhe jo për një sulm të planifikuar ndaj efektivit të policisë. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Pas incidentit, forca të shumta policie zhvilluan kontrolle në zona të ndryshme të qytetit deri në orët e para të mëngjesit. Gjatë operacionit janë kontrolluar banesa, lokale dhe ambiente publike, ndërsa disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje.
Deri në këtë fazë nuk ka informacion zyrtar për identifikimin apo arrestimin e autorëve të dyshuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes



