Nuk ndalonte muzikën, e pëson 53-vjeçarin

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të kontrolleve për evidentimin e rasteve të prishjes së qetësisë publike, nga subjektet që vënë muzikë të lartë pas orarit të lejuar, bazuar dhe në denoncimet e qytetarëve, për raste të tilla, kanë ushtruar kontrolle në disa subjekte që ishin kthyer në shqetësim për qytetarët.

Gjatë kontrolleve, në një lokal në Sarandë, është konstatuar muzikë e lartë pas orarit të lejuar dhe administratori i këtij lokali, shtetasi K. I., 53 vjeç, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndërprerë muzikën që përbënte shqetësim për qytetarët.

Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procdimi në gjendje të lirë për shtetasin K. I., 53 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Pajisjet që gjeneronin muzikën u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve apo hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat e parashikuara për ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të paligjshmërive në këtë fushë, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

Të Fundit