“Njeri jam dhe unë”- Me kokën ulur, del përpara gjykatës babai që masakroi djalin

Ka dalë përpara gjykatës 77-vjeçari Shefki Bylykbashi, i cili mbrëmjen e së premtes vrau djalin e tij 50-vjeçar Hamdi Bylykbashi.

Me kokën ulur dhe duke thënë “njeri jam dhe unë”, 77-vjeçari ka dalë përpara gjykatës këtë të hënë për dhënien e masës së sigurisë.

Fillimisht ngjarja e ndodhur në fshatin Zvezdë u raportua si aksidentale, por nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babanë Shefki Bylykbashi, 77 vjeç, të cilin ka dashur ta hedhë në pusin e ujit në oborr.

Ky i fundit e ka goditur me çekiç në kokë duke bërë që 50-vjeçari të ndërrote jetë.

Në dëshminë e dhënë në polici, 77-vjeçari tha se i biri vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, çka ka bërë që të konfliktoheshin ditën e djeshme.

“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte ccdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më”, është shprehur 77-vjeçari në polici.

SI U FSHEH NGJARJA
Ngjarja u raportua fillimisht si aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor u zbulua se Shefki Bylykbashi vrau djalin e tij Hamdi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi Hamdi Bylykbashi, 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë. Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain, të cilin ka dashur ta hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, i biri ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Shefki Bylykbashi, akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Të Fundit