Niko Peleshi: Nuk blejmë dot avionë 50 milionë euro për shuarjen e zjarreve

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka raportuar të hënën në komisionin  e sigurisë lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Teksa është sjellë në vëmendje zjarri që përfshiu ishullin e Sazanit disa ditë më parë, deputeti demokrat Ferdinant Xhaferraj ka kërkuar që ministri të paraqesë kapacitete e vendit për shuarjen e zjarrit.

Peleshi tha se Shqipëria nuk i ka kapacitetet për të blerë avionë të posaçëm për shuarjen e zjarreve, të cilët siç tha, përveç faktit që kushtojnë shumë, kanë shpenzime të konsiderueshme për mirëmbajtje.

Por lajmi i mirë sipas ministrit është se Shqipëria ka bashkëpunim të ngushtë me shumë vende për gjendje emergjencash të cilat i janë gjendur pranë vendit tonë në momente të vështira.

“Jemi vend i vogël, s’ia vlen të investojmë për të pasur një avion që kushton 50 mln euro. Nëse i kemi nuk jemi në atë fazë që të investojmë 50 mln euro për ta përdorur një muaj, duke i shtuar pastaj kostot e mirëmbajtjes që janë shumë të madha. Ne mirëmbajmë flotën tonë ajrore me kontraktim jashtë vendit, kostot tona janë edhe më të mëdha sa një shteti tjetër si Italia, pasi duhet ta çojmë mjetin jashtë për problemet e mirëmbajtje. Të investojmë qindra miliona euro për të pasur një flotë avionësh është ekonomikisht e pamundur”, tha Peleshi.

 

Të Fundit