Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët, ku foli edhe për protestat e qytetarëve. Ai pohoi se Qeveria është e gatshme të dëgjojë ato që mund të jenë kërkesa legjitime të protestuesve, por kërkoi që të mos normalizohet përdorimi i dhunës si instrument politik. Qeveria po e lexon protestën përmes simbolikave që vetë sheshi i dërgon.
“Pas 35 ditësh, pamë që nga nga flamingo na u shfaq një arkivol dhe ky është një rrugëtim interesant edhe sa i përket mesazheve që vete protesta i jep protestës. Çdo shqiptar e ka te qarte qe nëpërmjet vdekjes nuk mund te perceptohet as ndryshim as zhvillim. Flamingot kane shtegtuar nga bulevardi, janë shpend që janë shumë të kujdesshëm për ambientin ku ndalin, prandaj nuk ndalin kudo”.
Ministri për Pushtetin Vendor bën thirrje që të shmanget çdo akt dhune.
“Dhuna ka marre forma të ndryshme, qofte në dyert e parlamentit, por dhe gjuha është e rëndësishme. Nuk mund të krijojmë një shoqëri ku dhuna është instrument politikëbërje, ku të normalizojmë intimidimin, apo të mbjellim urrejtje”.
Ervin Demo është pjesë e grupit të punës që po trajton një pjesë të shqetësimeve të protestuesve, që konsiderohen si legjitime nga ekzekutivi.
“Kërkesat mund të jenë legjitime, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për trajtën që kjo protestë mund të marrë. Për shkak të trajtës që ka marrë, qartazi, referuar edhe sondazheve, protesta dita-ditës thahet edhe në konceptin e ideve që ofron”.
Referuar kërkesave të protestuesve, ministri Demo pohoi se qeveria duhet kalibrojë shpejtësinë e nismave dhe reformave të ndërmarra prej saj.



