Nga 1 qershori, kush humb pikët e patentës, në autoshkollë nga e para

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka ndryshuar një sërë rregullash për sektorin e autoshkollave dhe lejet e drejtimit për drejtuesit e mjeteve me qëllim rritjen e sigurisë rrugore. Rregullat e reja do të nisin zbatimin pas botimit në Fletoren Zyrtare jo më vonë se data 1 qershor.

DPSHTRR bën me dije se një nga rregullat e reja përcakton që drejtuesit e mjeteve rrugore që humbin të gjitha pikët e lejes së drejtimit, ose që u hiqet leja e drejtimit për shkelje të rënda e të përsëritura do t’i nënshtrohen kursit nga e para në autoshkollë, e pastaj do të paraqiten për testim teorie dhe praktike pranë DPSHTRR-së.

Po ashtu tashmë kalohet direkt nga kategoria B në kategorinë D1 (mbi 21 vjeç) për Leje Drejtimi për mjete deri 15+1 vende si dhe të drejtë Deshmie Taksisti, dhe në kategorinë D (mbi 24 vjeç) pa kaluar më detyrimisht kategoritë C1, C! Gjithashtu në vijim kalohet nga kategoritë C te D e anasjelltas në çdo rast.

Ndër të tjera në udhëzim thuhet se njihet e drejta për ndihmë të specializuar, nga DPSHTRR ose ekspertë të zyrtarizuar, me zë/lexim ose gjuhë shenjash, për aplikantët për Leje Drejtimi me aftësi të kufizuara leximi ose dëgjimi që hyjnë në Testime Teorie e Praktike.

Nëse ke kategorinë B dhe je mbi 24 vjeç, kalohet direkt për kategorinë e Leje Drejtimit A (motomjet), pa kaluar më nga kategoritë A1, A2!

Ndërhohë që shtohet testi i Praktikës për Ciklomotorat, kategoria AM (deri 50 cc, jo mbi 45 km/h) si kërkesë e Direktivave të Bashkimit Europian dhe e Marrëveshjeve të Njohjeve & Konvertimit!

Gjithashtu do të përcaktohet një kosto dysheme për kurset në Autoshkolla që do të zyrtarizohet çdo fundviti si referencë e detyrueshme, pas një koordinimi zyrtar mes DPSHTRR, DPT dhe Përfaqësuesve të Autoshkollave!

Njëkohësisht DPSHTRR do të kryejë unifikimin dhe miratimin e materialeve didaktike, manualeve të përgatitjes teorike dhe praktike, të drejtuesve të mjeteve./

Të Fundit