Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është ndalur sot në Lezhë, ku ka zhvilluar një takim me qytetarët. Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat tha se PD-ja premtoi një të ardhme më të mirë për njerëzit dhe këtë gjë do e arrijë.
Sipas Bashës, asgjë nuk ndodhi rastësisht në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa nuk i kurseu akuzat për kryeministrin Edi Rama.
“Mirë se ju gjej! Zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, rrethanat në të cilat mblidhemi sigurisht nuk janë ato që kishim planifikuar në të cilat do të mblidheshim së bashku. Por kjo, prapë se prapë nuk na ka penguar të jemi bashkë. Të jemi bashkë dhe të jemi me kokën lartë dhe kjo vlen në radhë të parë për ju drejtuesit e betejës në qarkun e Lezhës dhe vlen për të gjithë demokratet dhe demokratët shqiptarë dhe qindra e mijëra simpatizantë dhe mbështetës të cilët udhëhoqën dallgën për ndryshim më 25 prill. Është fal jush dhe sakrificës tuaj personale, familjare. Sakrificë 8 vjeçare që kjo dallgë shprese dhe besimi tek ndryshimi u ngrit dhe pushtoi Lezhën dhe mbarë Shqipërinë. Është fal jush dhe sakrificës tuaj personale që beteja më e pabarabartë, prapë se prapë nuk ja doli ta ndalte vullnetin e mbi 680 mijë votuesve, duke llogaritur dhe ata votat të cilat u pavleftësuan nga marifeti i Edi Ramës, të koalicionit tonë, të cilët sfiduan frikën, shantazhin, shit-blerjen e votës, kërcënimet me largimet nga puna, joshjen, bandat kriminale dhe votuan për ndryshimin. Asgjë nuk ndodhi rastësisht. Ne e dimë fare mirë si e nisëm këtë betejë. Sikundër e dinim prej momentit të parë se kë kishim përballë. Shumëkush vuri bast se shpresa kishte vdekur, se njerëzit nuk do të çoheshin. E kundërta ndodhi. Tek po vija këtu, i thash Markut, një të vërtetë që e dinë të gjithë: ishte marifeti i ndryshimeve anti-kushtetuese të 5 tetorit dhe ndryshimi i njëanshëm i kushtetutës në 30 korrik ai që edhe matematikisht i hoqi mandatin e pestë koalicionit tonë në Lezhë. 5 me 2 ja bënë lezhjanët, mirditorët dhe kurbinasit një regjimi që nuk la gjë pa përdor kundër tyre.
Nga blerja masive e votave me bandat kriminale, tek shkelja e ditë përditshme e kodit zgjedhor me punësimet e paligjshme, tek shkëmbimi i votës për legalizime, tek vjedhja dhe përdorimi i të dhënave personale, tek shantazhet e drejtpërdrejta për largimin nga puna dhe natyrisht tek përdorimi i kontingjentit kriminal. Por ju e vazhduat këtë betejë çdo ditë e më të fuqishëm, çdo ditë e më të vendosur dhe kjo është arsyeja pse njerëzit na ndoqën. Sepse ata e kuptuan se kjo betejë nuk bëhej për karriget tona. E kam thënë në emrin tuaj dhe në emrin tim që në fillim të fushatës, kjo betejë nuk bëhej për Partinë Demokratike, kjo betejë bëhej për shqiptarët, bëhej për Shqipërinë, bëhej për lezhjanët, për mirditorët, për kurbinasit, për të gjithë shqiptarët. Në këtë betejë ne dolëm ballëhapur para atyre. Pa asnjë pushtet, me bashkinë e vjedhur nga procesi kriminal i 30 qershorit. Me drejtësinë në gjunjë që i lëpihet Arben Ndokës, që jo më kot e lëshuan një javë para zgjedhjeve, njësoj si Altin Hajrit, ja hoqi sekuestron OFL-ja, që në fakt është Operacion Kriminal Negocimi i Edi Ramës me krimin. Jo, jo aspak, përkundrazi, ne u futëm në këtë betejë sepse ne e dinim që shqiptarët donin dhe duan ndryshimin. Që shqiptarët donin dhe duan një të ardhme më të mirë për veten e tyre, për familjet e tyre.