Sot Charles III do të kurorëzohet mbret në ngjarjen më të madhe ceremoniale të Britanisë për shtatë dekada, në një ceremoni madhështore që daton 1000 vjet më parë.
Charles pasoi nënën e tij, Mbretëreshën Elizabeth, kur ajo vdiq shtatorin e kaluar dhe në moshën 74-vjeçare, ai do të bëhet monarku më i vjetër britanik që do të vendosë në kokë kurorën 360-vjeçare të Shën Eduardit, ndërsa ai ulet në një fron të shekullit të 14-të në Westminster Abbey të Londrës.
Kurorëzimi i tij do të ndiqet nga rreth 100 krerë shtetesh dhe personalitete, përfshirë zonjën e parë të SHBA-së Jill Biden.
Në një ceremoni që pritet të zgjasë të paktën dy orë, Charles do të kurorëzohet zyrtarisht, do të prezantohet me një sërë objektesh ceremoniale dhe do të njihet si Mbret nga përfaqësues të ndryshëm të shtetit britanik.
Pjesë të Londrës qendrore janë bllokuar për disa ditë, me barriera që rreshtojnë rrugën që Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla do të marrin në procesion nga Pallati Buckingham, rezidenca zyrtare e monarkisë britanike në Londër, deri në Westminster Abbey, kisha e kurorëzimit të vendit që nga viti 1066.
Ceremonia do të jetë një çështje thellësisht fetare, duke reflektuar faktin se përveç të qenit kreu i shtetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe 14 vendeve të tjera, Charles është gjithashtu Guvernatori Suprem i Kishës së Anglisë . Ajo do të drejtohet nga Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, udhëheqësi shpirtëror i Kishës.
Charles do të jetë gjithashtu monarku i parë që do të lutet me zë të lartë në kurorëzimin e tij dhe, në lutjen e tij, do të kërkojë “të jetë një bekim” për njerëzit “të çdo besimi dhe bindjeje”.
Bashkëshortja e Charles, Camilla, do të kurorëzohet gjithashtu në një pjesë më të shkurtër dhe më të thjeshtë të ceremonisë.