Artur Zotka, vëllai i Kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotka, është arrestuar këtë të premte nga policia.
55-vjeçari u ndalua nga uniformat blu pasi rezultonte një person në kërkim i dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ai u dënua nga Gjykata e Beratit pasi në banesën e tij në vitin 2015 u gjetën 9 kg kanabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A. Z., 55 vjeç, banues në Poliçan.
Gjykata e Beratit, me vendimin e datës 13.03.2017, e ka dënuar këtë shtetas, me 1 vit e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi në muajin shtator 2015, gjatë operacionit “Pronoviku”, në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar 9 kilogramë cannabis sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.