Morën pa leje mjetin e sekuestruar nga policia/ Arrestohen 5 persona, procedohet penalisht efektivi

Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë së Sarandës pasi akuzohen se tërhoqën pa leje një mjet lundrues tip veliere, të sekuestruar nga Policia, që ishte ankoruar në portin e Limionit.

5 shtetasit e arrestuar janë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes së peshkimit që tërhoqi mjetin lundrues veliere nga vendi ku ishte lënë në ruajtje nga Policia Kufitare.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– A. N., 53 vjeç, drejtuesi i anijes së peshkimit;

– A. E., 55 vjeç, S. G., 40 vjeç, M. E., 43 vjeç dhe I. A., 34 vjeç, të katërt shtetas egjiptianë, punëtorë peshkimi.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë/Gjirokastër) u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e policisë inspektor A. M., me detyrë trup shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë, pasi nuk ka marrë masa për ruajtjen e mjetit veliere të sekuestruar dhe nuk ka konstatuar mungesën e mjetit lundrues, pas lënies së shërbimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Të Fundit