Ekipet e shpëtimit po kërkojnë dëshpërimisht për nëndetësen e vogël që u zhduk në veri të oqeanit Atlanti, teksa ishte zhytur në thellësitë e tij për të parë mbetjet e “Titanik”.
Skuadrat e specializuara janë në garë me kohën për të gjetur mjetin lundrues përpara se furnizimi i tij me oksigjen të mbarojë.
Një avion kanadez i angazhuar në operacionet e kërkimit ka lokalizuar një seri zhurmash në afërsi të vendndodhjes së fundit të nëndetëses, që mban 5 persona në bord.
Ende nuk dihet se sa ka zgjatur zhurma, e ngjashme me një trokitje, por zbulimi iu përcoll me email Departamentit Amerikan të Sigurisë së Brendshme.
Roja Bregdetare Amerikane, që po udhëheq kërkimet, ka zhvendosur operacionet e shpëtimit pikërisht për shkak të tingujve të regjistruar, por deri më tani nuk ka arritur ndonjë rezultat në gjetjen e mjetit.
Autoritetet vlerësojnë se pasagjerëve u kanë mbetur oksigjen deri mesditën e ditës së enjte.
Autoritetet kanadeze raportuan se nëndetësja me fibra karboni u shpall e zhdukur natën mes së dielës dhe së hënës, duke bërë që të nisë një operacion ndërkombëtar kërkimi rreth 700 kilometra nga bregu i lokalitetit Nju Faund Lend të Kanadasë.
Nëndetësja po zhvillonte një ekspeditë për të parë mbetjet e titanikut në një thellësi prej 3 mijë e 800 metrash dhe në bord ishte piloti, një aventurier britanik, dy anëtarë të një familjeje pakistaneze biznesmenësh dhe një ekspert i historisë së “Titanik”.