Një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale është realizuar me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku një vajzë vetëm 3 vjeçe iu nënshtrua një operacioni 7-orësh për heqjen e një tumori në trurin e vogël.
Pavarësisht moshës së vogël dhe kompleksitetit të ndërhyrjes, ekipi mjekësor arriti ta heqë tërësisht tumorin. Pas operacionit dhe kujdesit të specializuar, gjendja e fëmijës paraqitet e mirë
“Një lajm që na mbush me shpresë dhe gëzim!
Një fëmijë vetëm 3 vjeç, përballë një sfide të madhe shëndetësore, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati 7 orë. Tumori në trurin e vogël ishte një sfidë e vështirë, veçanërisht në këtë moshë. Por falë përkushtimit, profesionalizmit dhe punës së palodhur të ekipit mjekësor, ndërhyrja u realizua me sukses dhe tumori u hoq i gjithi.
Sot, falë kësaj ndërhyrjeje dhe kujdesit të ekipit mjekësor, fëmija gëzon shëndet të plotë. Pas ekzaminimit histologjik, trajtimi do të vijojë sipas protokollit të përcaktuar nga Bordi Multidisiplinar Onkopediatrik.
Një falënderim i veçantë për të gjithë ekipin që ishte pjesë e kësaj sfide: Prof. Dr. Artur Xhumari, Anestezist Myfit Saraçi, Kirurg asistent Gramoz Brace, Instrumentarë Refije Kadiu dhe Ervin Gjisha” shkruhet në faqen zyrtare të Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’, Tiranë.



