Ministri i Financave, Malaj reagon për pagat e magjistratëve: Nuk janë bllokuar, KLGJ dhe KLP të sjellin listëpagesat

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar lidhur me pagat e magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke sqaruar se ato nuk janë bllokuar nga Ministria e Financave apo Thesari.

Në një letër drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e siguruar nga gazetari i Vizion Plus, Hamit Yzeiraj, Malaj kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik. Sipas tij, ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve nuk janë miratuar ende nga Kuvendi.

Malaj thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshimet ligjore përkatëse. Ai argumenton se Ministria e Financave nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në miratimin e ndryshimeve ligjore dhe buxhetore.

Sipas ministrit, pagat e institucioneve të tjera të drejtësisë, përfshirë SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, janë ekzekutuar normalisht, pasi listëpagesat e gushtit janë paraqitur sipas metodologjisë në fuqi.

Malaj u kërkon KLGJ-së dhe KLP-së të ridërgojnë pa vonesë listëpagesat e gushtit sipas parametrave të muajit korrik, duke garantuar se pagesat do të procedohen me përparësi. Ai shtoi se pas miratimit të ndryshimeve ligjore nga Kuvendi, Ministria e Financave do të sigurojë edhe fondet për diferencat e pagave, përfshirë efektet për periudhat e mëparshme.

Të Fundit