Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaron se këtë sezon veror është rritur ndjeshëm hapësira dhe numri i parcelave të plazheve publike në të gjithë vendin.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja tha se numri i parcelave të stacioneve të plazhit publik është rritur me 67%, ndërsa sipërfaqja e tyre është zgjeruar me mbi 10%, duke reduktuar hapësirën e zënë nga stacionet private.
“Këtë sezon kemi rritur me 67% numrin e parcelave të stacioneve të plazhit publik dhe me mbi 10% sipërfaqen e tyre në të gjithë vendin, duke i marrë terren stacioneve private. Më shumë plazhe publike, më shumë akses, cilësi dhe çmime të përballueshme për banorët e zonave por edhe për turistët e shumtë që zgjedhin Shqipërinë. Për herë të parë, plazhet e menaxhuara nga bashkitë ofrojnë edhe çadër e shezlong me tarifa të miratuara nga këshillat bashkiakë, duke ndihmuar njëkohësisht në frenimin e abuzimeve me çmimet. Në Sarandë, sikurse në disa bashki, kemi sot nga modelet më të mira të këtij menaxhimi. Rezultatet janë të prekshme, por puna vazhdon”, shkruan ministri Gonxhja.



