E Hënë, 23 Nëntor 2026
Lajm i fundit
Durrësi harron tërmetin, KLSH: Bashkia nuk zbatoi qindra vendime për prishjen e ndërtimeve të paligjshme “Liria e fjalës nuk është pronë e profileve anonime”, Kumbaro reagon pas sulmeve online ndaj të rinjve pjesë e takimit me Kryeministrin Raporti, gjysma e familjeve shqiptare nuk përballojnë një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa borxh Rama: S’mendoj se duhet të zgjedh, ose mik me Mickoskin, ose me shqiptarët A është i vërtetë apo i rremë i famshmi Këmbëmadhi? Administrata Trump publikon përgjigjet Xhensila Myrtezaj përfundon në gjyq për evazion fiskal, dyshohet se fshehu mbi 60 milionë lekë të ardhura “Është në lojë jeta ime”, Veliaj: Nuk refuzoj operacionin, por dua të zgjedh vetë mjekun dhe spitalin Spiropali: Nuk pendohem, nuk gjunjëzohem dhe nuk pres mëshirë Trump për sulmin kibernetik ndaj FBI-së: Nuk më pëlqen, por ndoshta do të mësojmë gjëra që nuk i dinim Rama për Ditën e Alfabetit: Nën hijeshinë e këtyre gërmave jeton kujtesa dhe frymon e ardhmja e kombit
Aktualitet

Ministri Gonxhja: Asnjë banesë monument kulture nuk do të lihet në mëshirë të fatit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot në 28 gusht nisjen e punës për zbatimin e mekanizmit të ri që mundëson ndërhyrjen e shtetit në pasuritë kulturore në rrezik degradimi, kur pronarët apo trashëgimtarët nuk kanë realizuar ndërhyrjet e nevojshme për ruajtjen e tyre.

Gonxhja theksoi se banesat monument kulture, pavarësisht pronësisë së tyre, mbartin një vlerë që tejkalon interesin individual apo familjar, pasi përfaqësojnë historinë, traditën, arkitekturën dhe trashëgiminë kulturore të vendit.

“Asnjë objekt banimi monument kulture nuk do të lihet në mëshirë të fatit. Këto pasuri nuk janë vetëm personale, individuale apo familjare, por janë pasuri universale, kolektive, i përkasin gjithë shoqërisë dhe përfaqësojnë traditën, arkitekturën historike dhe trashëgiminë tonë kulturore”, u shpreh ministri.

Në Qendrën Historike të Gjirokastrës numërohen 390 banesa monument kulture, prej të cilave rreth 90 janë evidentuar me problematika që paraqesin rrezik. Përballë kësaj situate, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, ka nisur punën administrative dhe teknike për evidentimin dhe detajimin e projekteve të ndërhyrjes.

Mekanizmi i ri parashikon ndërhyrjen institucionale në rastet kur një pasuri kulturore rrezikon shembjen, dëmtimin strukturor apo humbjen e vlerave të saj për shkak të mungesës së ndërhyrjes nga pronari ose poseduesi. Çdo rast do të dokumentohet dhe vlerësohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa projekti dhe preventivi do t’i nënshtrohen procedurave të parashikuara ligjore.

Ndërhyrjet do të realizohen me një formulë të përcaktuar sipas statusit të monumentit, natyrës së punimeve dhe vlerës së preventivit, duke përcaktuar pjesën e financimit që lidhet me mbrojtjen e vlerës kulturore dhe detyrimin që i takon pronarit ose poseduesit.

Ministri Gonxhja sqaroi se qëllimi është krijimi i një mekanizmi efektiv, që parandalon degradimin dhe humbjen e banesave historike, pa cenuar pronësinë private, por duke garantuar njëkohësisht përmbushjen e përgjegjësive që burojnë nga statusi i tyre si pasuri të mbrojtura.

“Qëllimi është që të mos kemi më shtëpi monument kulture që degradohen apo rrëzohen dhe të mos rrezikojmë t’i humbasim përgjithmonë, qoftë për shkak se pronarët apo trashëgimtarët nuk kanë mundësi ekonomike për të ndërhyrë, qoftë për shkak të neglizhencës”, deklaroi Gonxhja.

Puna administrative dhe teknike për zbatimin e mekanizmit ka nisur, ndërsa ndërhyrjet e para konkrete dhe hapja e kantiereve të para parashikohen në fillim të vitit të ardhshëm.

Nisma synon të garantojë mbrojtjen e autenticitetit të pasurive kulturore dhe kujtesës historike të komuniteteve, duke e trajtuar trashëgiminë kulturore si interes publik dhe përgjegjësi të përbashkët.

Denonco te STOP

Keni një shqetësim që duhet ta dijë opinioni publik?

Na kontaktoni me telefon ose WhatsApp. Ekipi i STOP verifikon çdo sinjalizim dhe del në terren.

↑