Mediat greke i kanë kushtuar sërish një artikull marrëdhënieve mes dy qeverive dhe qëndrimeve për çështjen ‘Beleri’. “Dera e Bashkimit Europian do të jetë e mbyllur për Shqipërinë për sa kohë që Fredi Beleri nuk do të lejohet të betohet si kryebashkiak i Himarës, ka paralajmëruar Athina zyrtare në Bruksel”, kështu e nis artikullin gazetaProtothema artikullin e saj referuar debateve për integrimin e Shqipërisë.
Sipas media greke, “Kryeministri shqiptar Edi Rama zgjodhi ‘kundërshtarin’ e gabuar për të treguar forcën me rastin e çështjes Beleri”. Protothema në artikullin e saj shkruan se “Edi Rama, duke iu referuar gjyqësorit të ‘pavarur’ shqiptar, deklaroi me sfidë se asgjë nuk do të ndryshojë edhe nëse ‘bie i gjithë Këshilli Europian’.”
Ndërsa shton se gjykata, pas deklaratave publike të kreut të qeverisë shqiptare, hodhi poshtë kërkesën të hënën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie.
Ndërkohë pritet vijimi i gjyqit simulues për skemën e pretenduar të blerjes së votës”,shkruan Protothema.
Në takimet ministrore për përgatitjen e Samitit, megjithë qëndrimin e ftohtë të evropianëve, Athina shpjegoi se nuk do të ketë ndryshim në qëndrimin e saj, siç ishte formuluar edhe me rezervën e shprehur në letrën dërguar Shqipërisë për fillimin e negociatave të anëtarësimit, raporton gazeta greke.
Në Samitin e BE, që zhvillohet në data 14 dhe 15 dhjetor nuk pritet që të ketë një diskutim të gjerë për zgjerimin përtej vendeve të reja kandidate të Ukrainës, Moldavisë, Bosnje-Hercegovinës.
“Nga pala greke, nëse nevojitet dhe provokohet një diskutim, do të theksohet qëndrimi i prerë për të bllokuar Shqipërinë”, thekson më tej artikulli.