Mbledhja e Grupit Parlamentar të PS-së, Peleshi: Kemi hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të BE-së

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bëri një bilanc të punës parlamentare gjatë dy sesioneve të para të kësaj legjislature. Në fokus të fjalës së tij ishin edhe reformat e ndërmarra dhe ecuria e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Peleshi theksoi se vendi ynë ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave. Sakaq, kreu i Kuvendit veçoi se puna legjislative është rritur ndjeshëm, ndërsa procesi i negociatave me BE-në ka marrë një hov të ri, me rezultate konkrete.

“Gjatë dy sesioneve të para të legjislaturës janë miratuar 131 ligje, afro 40 ligje më shumë sesa dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar.

Kemi miratuar me konsensus ndryshimet në rregulloren e Kuvendit duke modernizuar procedurat parlamentare dhe duke rikonfiguruar komisionet e përhershme të Kuvendit. Kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme në Kodin Penal dhe Kodin Civil.

Nëse do duhet ta përkufizonim këtë legjislaturë me një fjali të vetme, unë do të thoja se kjo është legjislatura e integrimit europian. Asnjëherë më parë puna e Kuvendit nuk ka qenë kaq e lidhur me procesin e negociatave. Për të garantuar harmonizimin e plotë të tyre me standardet europiane, janë miratuar 157 amendamente shtesë. Kemi shqyrtuar dhe miratuar pozicionet negociuese të Shqipërisë, kemi monitoruar vazhdimisht ecurinë e procesit të negociatave, kemi zhvilluar dhjetëra seanca dëgjimore me ministrat dhe ekipet negociatore, si dhe kemi miratuar me konsensus rezolutën për procesin e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka vijuar hapjen e grup-kapitujve negociues, ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave dhe ka shënuar mbylljen e kapitujve të parë të negocimit. Ky është një sukses kombëtar, është një sukses i qeverisë shqiptare, i Kuvendit dhe i gjithë shoqërisë shqiptare.

Funksioni mbikëqyrës është një nga funksionet më të rëndësishme të Kuvendit dhe njëkohësisht fusha ku besoj se kemi realizuar transformimin më të madh gjatë kësaj legjislature. Për shumë vite, monitorimi parlamentar ishte përqendruar kryesisht në shqyrtimin formal të raporteve të institucioneve: institucionet raportonin, komisionet diskutonin dhe Kuvendi miratonte rezolutat. Ne vendosëm ta ndryshojmë këtë qasje.

Për herë të parë zbatuam kuadrin e ri procedurial të rregullores së Kuvendit, duke orientuar procesin e monitorimit drejt vlerësimit të performancës së institucioneve, rezultateve konkrete, ndikimit të politikave publike dhe nivelit të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit. Pas ndryshimeve të miratuara me konsensus në rregulloren e Kuvendit, është parashikuar mënyra e raportimit të institucioneve të pavarura,duke rishikuar këtë procedurë me synim rritjen e cilësisë së mbikëqyrjes parlamentare, duke vendosur fokus te raportimi i vitit aktual ashtu edhe te zbatimi i rekomandimeve të vitit paraardhës”, u shpreh Peleshi.

Të Fundit