Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit

Më shumë se 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur 8 fshatra të njësisë administrative Proptisht, ndërsa situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të temperaturave të larta të muajit korrik.

Sipas denoncimeve të banorëve, në çezmat e tyre nuk ka ujë, ndërsa ata thonë se kanë kontaktuar vazhdimisht administratorin e njësisë. Sipas tyre, administratori ka komunikuar me Ujësjellësin e Pogradecit, i cili ka bërë me dije se shkak i ndërprerjes është një defekt në linjën e furnizimit.

Mungesa e ujit vijon prej disa ditësh në fshatrat Golik dhe Selcë e Poshtme, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit pa furnizim kanë mbetur edhe gjashtë fshatra të tjerë të njësisë Proptisht.

Ende nuk ka një sqarim zyrtar për shkakun e problemit dhe nuk dihet nëse bëhet fjalë për një çarje të tubacionit kryesor të furnizimit. Ndërkohë, disa banorë ngrenë dyshime se rrjedha e burimit mund të jetë devijuar nga një hidrocentral në zonën e Velçanit për të furnizuar rezervuarin, duke lënë pa ujë të pijshëm banorët e zonës.

Ujësjellësi që furnizon Proptishtin dhe Velçanin është ndërtuar i ri rreth një vit më parë, por banorët shprehen se po përballen sërish me të njëjtat probleme të furnizimit me ujë, pavarësisht investimit.

Të Fundit