Në shumë shtete evropiane ka nisur procesi i rëndësishëm i mbërritjes së dozave të para të vaksinave anti-COVID 19 me shpresën se shumë shpejt pandemia do të vihet nën kontroll.
Këtë të premte, në ditën e Krishtlindjes edhe në Greqi kanë mbërritur dozat e para të vaksinës ‘Pfizer’, një ditë më para nga sa ishte planifikuar.
Kamionët e parë frigoriferikë mbërritën përmes kalimit kufitar me Bullgarinë, Promahonas. 9 750 dozat e para të vaksinave do të ruhen në zona të veçanta, që plotësojnë specifikimet për ruajtjen e produkteve farmaceutike. Kujtojmë se vaksina e prodhuar nga Pfizer dhe Bioentech duhet të ruhet në temperatura shumë të ulëta -70/-80 gradë celsius.
Punonjësit e vijës së parë të kujdesit shëndetësor dhe personat më vulnerabël do të jenë të parët që do të vaksinohen.
Injeksionet e para nisin në 27 dhjetor, në spitalet më të rëndësishme të Athinës, ‘Evangelismos’, ‘Sotiriiia’, ‘Attica’ etj.
Si një shenjë sigurie, të dielën, presidentja Katerina Sakellaropoulou dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis pritet të marrin dozën e parë të vaksinës. Pak ditë më parë kryeministri u shpreh se sfida më e madhe do të jetë të bindin publikun se vaksina është e sigurt.
Gjatë të hënës vaksinat do të dërgohen në spitalet e Larisës, Selanikut, Janinës dhe Patras dhe inokulimi do të fillojë për stafin mjekësor më 29 dhjetor. Deri në 30 dhjetor, Greqia do të marrë 83 850 doza të tjera të ‘Pfizer-BioΝTech’; 429 000 doza në fund të janarit dhe 333 450 doza të tjera në fund të shkurtit. Deri në fund të marsit, Greqia do të ketë marrë 1.265.550 doza nga ‘Pfizer-BioNTech’.
Krahas Greqisë, në orët e para të së shtunës dozat e para të vaksinës ‘Pfizer’ kanë mbërritur edhe në Rumani, ndërsa injeksionet e para po ashtu nisin në datën 27 dhjetor.